Në studion e RTV Ora, analisti profesor në Francë Nezir Kraki thotë se i  gjithë teksti i marrëveshjes së firmosur mbrëmjen e sotme në Uashington është në favor të Serbisë dhe Vuçiç ka të drejtë të shkojë si triumfues në Beograd.

Nezir Kraki për RTV Ora: Vuçiç ka të drejtë të festojë. Shkoi në Uashginton me duar bosh dhe po kthehet duar plot. Si të mos ketë ngazëllim?! Kosova përmendet si kryeqytet në dokument. Merreni me mend, as emërtimi kushtetues “Republika e Kosovës” siç e njeh Amerika nuk është aty. Nuk ka asgjë Kosovë shtet.

Ndërkohë Kryeministri Hoti nga Uashingtoni do të vijojë rrugën drejt Brukselit ku do të ketë takime me delegacionin e Serbisë dhe presidentin Vuçiç të hënën në 9 shtator. Avokati nga Prishtina, Tom Gashi po në një lidhje me skype me RTV Ora beson se nuk do të kemi njohje të Kosovës nga Serbia për një periudhë të gjatë.

Tom Gashi ne RTV Ora: Duken si negociata të ndryshme por besoj se kjo që është nënshkruar sot dhe unë e konsideroj në favor të Serbisë do të ketë ndikim të mëtejshëm. Por në Bruksel do të vijojnë negociatat për njohje të shtetit të Kosovës por pa trysni të mjaftueshme të SHBA Serbia nuk do ta njohë Kosovën dhe besoj se kjo njohje nuk do të jetë për një periudhë të gjatë për shkak se Serbisë gjithcka po i shkon mirë dhe ne dëmtohemi sa herë që takohemi me delegacionin serb, pa marrë parasysh ku takohemi.

Por çfarë do të ndodhë me politikë në Prishtinë tani që Hoti do të kthehet triumfues nga Uashingtoni?

Nezir Kraki ne RTV Ora : Triumfues për çfarë? Nëse Ramush Haradinajt i ka mbetur vetëm pak burrështetësi ai duhet që nesër në mëngjes të dalë nga qeveria dhe Kosova të shkojë në zgjedhje sa më shpejt që të kemi së pari përfaqësim legjitim të vullnetit të popullit, sepse nuk guxojmë të futemi në kësi kombinimesh diplomatiko biznesore me njerëz të cilët janë aty me kombinime të pazareve politike.

Nuk ka kuptim që pas 10 viteve negociata me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve e vetmja gjë normalizohet është mos pranimi i Kosovës nga Serbia e bota dhe e vetmja gjë që normalizohet është futja e Kosovës në kategorinë e shteteve si Tajvani apo Qipro që konsiderohen si cështje të hapura. Edhe Tajvani është superfuqi ekonomike por sovranitet nuk ka. Ne mund të bëhemi superfuqi ekonomike në Ballkan por sovraniteti nuk vjen me marrëveshje ekonomike.        

Kosovës shumë mirë që i erdhi njohja nga Izraeli por ka më shumë nevojë për njohjen nga Spanja, Rumania, Greqia, Sllovenia. Këtu është muhabeti i vërtetë i  njohjeve dhe çnjohjeve. Bisedimet do të vijojnë në Uashtington. Është cirk që nuk të çon askund. As Serbinë nuk e ndihmon dhe as Kosovën. Siç thonë francezët ‘e fut pluhurin nën çilim” dhe më pas e sheh Brukseli.”