Fondi Shqiptar i Zhvillimit, konsulta me banorët e Hysgjokaj për asfaltimin
Fondi Shqiptar i Zhvillimit është ndalur në komunën Hysgjokaj në rrethin e Lushnjes. Autoritetet e fondit kanë nisur konsultat me publikun për prezantimin e projektit teknik në kohën kur në këtë komunë do të nisin ndërhyrjet në infrastrukturë. 16.500 mijë banorë të komunave Hysgjokaj, Rrasë, Golem, Ballagat, së shpejti do të lidhen me njëri-tjetrin me rrugë të asfaltuara të parametrave bashkëkohorë.Rruga me një gjatësi 12.6 km është një investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit me financim të Qeverisë shqiptare, Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Draft-projekti i kësaj rruge iu prezantua banorëve të zonës në një konsultim public, të cilët u njohën me gjurmën ku do të kalojë rruga dhe u informuan mbi ndikimin social dhe mjedisor të projektit të ri.Rruga Lushnje-Hysgjokaj aktualisht është e amortizuar dhe kalohet me vështirësi nga automjetet. Prej shumë vitesh, në këtë aks rrugor nuk është kryer asnjë investim. Edhe pse një zonë me potenciale të zhvillimit bujqësor dhe blegtoral, fermerët e kësaj zone e kanë pasur mjaft të vështirë transportimin e prodhimeve të tyre në tregun e qyteteve të mëdha, si Lushnje, Elbasan apo Berat.Rruga e re, do të ketë një gjërësi asfalti 5.5 m dhe dy bankina nga 0.5 m. Ajo do të jetë e pajisur me trotuare në zonat e banuara, vepra arti, sinjalistikë rrugore horizontale e vertikale. Segmenti rrugor Lushnje-Hysgjokaj është në proçes tenderimi. Punimet pritet të fillojnë në muajin janar 2013 dhe parashikohen të zgjasin 16 muaj.