Berisha: Projekti i ullirit, parësor për qeverinë

Kryeministri Berisha ka ripërsëritur sot se projekti i ullirit ka një rëndësi parësore për qeverisë shqiptare.Duke folur në një tryezë me prodhues dhe përpunues të ullirit, kryeministri Berisha theksoi se qeveria do të vijojë të mbështesë fuqishëm këtë projekt.“Projekti i ullirit është i një rëndësie parësore për qeverinë dhe përballja shumëplanëshe e këtij projekti nga prodhimi i fidanëve dhe përzgjedhja e tyre tek vaditja dhe nxjerrja e prodhimeve më të pastra kanë qënë dhe mbetet objektiva të ndërhyrjes sonë. Nga 2007 e deri më sot janë financuar 9 mijë hekatarë por ky ka shërbyer si katalist për të ndezur një ethe të ullirit, një pasion të madh për ullirin që s`ka ekzistuar kurrë në këto përmasa” tha Berisha.Sipas kryeministrit, sot ky projekt qëndron në këmbë dhe sektori gjallërohet çdo javë dhe më shumë. "Është fat i madh që mblidhemi duke pasur si shtysë kryesore mbiprodhimin e ullirit këtë vit por natyrisht kjo kërkon që ne të trajtojmë të gjitha aspektet e këtij projekti” shtoi Berisha.Gjithashtu kreu i qeverisë ka deklaruar se tashmë objektiv do të jetë 50 milionë rrënjë ullinj. “Do mbështesim fuqishëm këtë sektor. Objektivi nuk është 20 milionë rrënjë ulli, por 50 milionë rrënjë ulli, ne shkojmë me këtë projekt afër maksimumit të kapaciteteve të mbjelljes së ullirit që është në çdo aspekt floriri i mbitokës. Konstatojmë se një sektor që po përjetonte agoni të pamerituar ishte pothuaj i braktisur dhe në rrënim është sot tërësisht tjetër me një interes më të madh se kurrë të fermerëve të zonës së ullirit të institucioneve zyrtare për zhvillimin e tij më të shpejtë”- tha ai.Ndërkohë ministri i Bujqësisë, Genc Ruli deklaroi se ky vit mund të cilësohet si vit i suksesit të madh në prodhimin e ullirit.