Rama: Programi për 100-vjetorin, mediokër. Tre ligjet, pas drejtësisë për Fierin

Pavarësisht apelit të Sekretares amerikane të shtetit, Hillari Clinton dhe dy ftesave të njëpasnjëshme të kryeministrit Berisha, PS mbeten në të njëjtin qendrim, nuk do ketë votë për 3 ligjet e vëna kusht nga KE, pa zgjidhjen e mandatit ne qarkun e Fierit. Edhe pse koha shtrëngon, pasi kanë mbetur vetëm 2 javë nga afati për votimin e 3 reformave, në mbledhjen e grupit parlamentar, kryesocialisti Edi Rama ishte i qartë.“Ritheksoj se jemi të gatshëm të marrim pjesë në diskutimin për përmirësimin e drafteve ekzistuese dhe t’i votojmë këto në momentin që mandati i marrë nga zgjedhjet e majit të shkuar për administrimin e qarkut të Fierit do të shkojë në duart e atyre që populli i Fierit i ka përcaktuar fitues.Zbatueshmëria e ligjit është në nivelin më të ulët, por në rastin konkret cënon një vendim të prerë të gjykatës.Jemi të gatshëm ta përmirësojmë kuadrin ligjor, por në të njëjtën kohë ne refuzojmë të marrim pjesë në një makijazh, teksa një vendim i Gjykatës së Lartë nuk zbatohet nga ana e qeverisë. Vendimi është i prerë, me t’u zbatuar ai vendim do përfshihemi në miratimin e draftit të Gjykatës së Lartë. Sa për reformën parlamentare, opozita është në pritje që pala tjetër të pranojë variantin e dakordësuar me ekspert ndërkombëtare, pra trajtimin e barabartë të shumicës e pakicës në Kuvend. Sa të pranohet kjo do ta votojmë edhe reformën parlamentare”- deklaroi Rama.Kryesocialisti u ndal edhe në festimet e për 100 vjetorin e pavarësisë. Ai tha se qeveria po shpërdoron fondet, e se programi i hartuar është tërësisht mediokër.“Programi i kremtimit të festës së 100-vjetorit, programit zyrtar, një program tërësisht mediokër pa asnjë vizion dhe shije euoopiane, krejt i padenjë për këtë moment historik kaq të rëndësishëm që është edhe një shans i jashtëzakonshmën për të kremtuar duke vështruar në të shkuarën dhe duke projektuar të ardhemn. Programi është me nota vulgariteti të së shkuarës dhe ditë pas dite shfaqen edhe shenjat e korrupsionit në procesin e jetësimit të këtij programi. Sot është bërë publik edhe shqetëismi i një zyrtari të lartë të qeverisë lidhur me 1 milionë euro që i adresohen 3 koncerteve për festimet e 100-vjetorit dhe në përpjekje për ti shfrytëzuar ato si një oportunitet korrupsioni” u shpreh ai.Ndërsa socialistët janë shpërndarë në gjithë Shqipërinë për të shpalosur programin për një rilindje shqiptare, Rama ka kërkuar që fokusi në javët e ardhshme të jetë arsimi.