Nuk ka bajraktar të privatizojë 28 nëntorin!
Festa e 28 nëntorit këtë vit është një festë 100 vjeçare. Ashtu siç tha dhe znj. Klinton, kjo festë do ketë dhe qindravjeçarë të tjerë. Por të vjen keq që edhe në këtë kremtim, partitë , bashkitë , komunat etj., nuk i nënshtrohen një protokolli kombëtar , me disiplinë dhe me kohezion, siç edhe detyron simbolika e saj. Kush e ka të drejtën që të përcaktojë protokollin e këtij festimi shekullor? A ka instanca ky shtet që po mbush njëqind vjet apo akoma ka voluntarizëm; njëri e hedh e tjetri e pret, njëri do të fitojë kredenciale politike dhe tjetri do që ato t’i rrëmbejë për vete. Një gjë e tillë tregon se shteti jonë megjithë se është njëqindvjeçar, nuk ka arritur që të krijojë instancat e tij autoritare, për të përcaktuar dhe mbrojtur me përpikmëri simbolet që e karakterizojnë atë. Nuk më duket shenjë e mirë një luftë e tillë midis partive politike: në qeveri apo në bazë që të shkaktojnë rrëmujë dhe përçarje në këtë ditë të shenjtë, e cila për ne shqiptarët është dita e lindjes dhe e ringjalljes së përjetshme. Shteti është dhurata më e madhe që na lanë ata që i udhëhoqi Ismail Qemali . Ai nuk na la pasuri, por na la gjënë më të shtrenjtë dhe më të shenjtë. Ai na la pasurinë që ka me vete gjithë pasuritë. Se sa i shtrenjtë dhe i shenjtë është shteti e ka provuar gjithkush që ka qenë emigrant sidomos në vendet ballkanike, por edhe në vendet e tjera. Më kujtohet një rast kur isha në Algjer dhe rastësisht takova një palestinez që punonte si emigrant. Në muhabet e sipër kur e mori vesh që isha nga Shqipëria më tha: Lumë ju që keni shtetin tuaj. Nuk ka më keq për njeriun që nuk ka shtetin e tij. Dhe lotët i rrodhën nga sytë. Sa të trishtuar dhe të pashpresë e pashë! Është vënë re kohët e fundit se simbolet e shtetit i përcaktojnë Qeveritë dhe kryesisht politikanët kryesorë dhe jo instancat që merren me studimin e historisë. Diskutohet akoma festa e Çlirimit, 28 apo 29 nëntori – por ka 20 vjet ama!!. Diskutohet ku do festohet 28 nëntori dhe si do festohet, ku do hahet dreka dhe ku darka, a do ketë bukë apo ujë apo duhet marrë me vete dhe arrihet sa të krijohen vende të tjera historike për ngritjen e Flamurit në mos dhe ditë të tjera të ngritjes së Flamurit!! Siç duket bajraktarët kërkojnë që ta privatizojë këtë datë, e cila sido që të jetë ka një kontekst të caktuar historik dhe nuk mund të ndodhte as në një vend tjetër dhe as më shpejt, por dhe as më vonë se dita që ndodhi, pra 28 nëntor 1912 me vendndodhje Vlorën kreshnike. E cila nuk e ngriti flamurin për veten e saj, por për të gjithë Kombin shqiptar. Aty nuk u ngrit flamuri i “landit” të Vlorës, por flamurin i gjithë shqiptarëve nëpërmjet përfaqësuesve të të gjithë shqiptarëve. Është fakt që këto data i kanë caktuar ata që i kanë krijuar dhe themeluar dhe s’ka të drejta të tjera që të rishikohen e të korrektohen siç është tentuar këto dy dekadat e fundit . Është rregull i përgjithshëm që emrin dhe ditëlindjen fëmijës ia përcaktojnë prindërit e tij, pra krijuesit e tij dhe atë s’kanë të drejtë që ta diskutojnë dhe ta zhvendosin e rivendosin ata që janë pasardhës të fisit. Demiurgu i 28 nëntorit dihet se kush është. Të tjerët, pasardhësit dhe apostujt janë të detyruar që të kryejnë ritet e duhura me përpikmëri dhe përkushtim. Të Sotëm! Mos cenoni shenjtërinë e krijuar! Nëse jeni të zotë, krijoni gjëra të tjera të shenjta dhe me vlerë nëse doni që të bëheni e të quheni shenjtorë. Mos kërkoni të zëvendësoni shenjtorët që kemi dhe simbolet që na kanë lënë ata, por jeni të mirëpritur dhe të lutur që të krijoni shenjtorë të tjerë, më të rinj që të shtohet altari i të shenjtëve të këtij kombi të vjetër, por dhe të ri. Rroftë 28 nëntori i Ismail Qemalit!Burimi