Trafiku i drogës me vajin e palmës, 11 vjet burg për Dimitros Harizaj

Pas më shumë se një vit ndalimi nga nga policia e trafikantit të drogës , gjykata ka dhënë 11 vjet burg për Dimitros Harizaj, trafikanti i drogës që shkrinte lëndën narkotike në vajin e palmës. Nga ana tjetër Prokuroria kërkoi 18 vjet burg për Harizajn, i cili u kap me 200 kg drogë, ndërsa vetë gjykata fillimisht dha 17 vjet burg, por pas gjykimit të shkurtuar Dimitros Harizaj u dënua me 11 vjet burg.Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë pas sinjalizimit nga homologët e tyre në 6 shtete të Evropës, në mars të 2011 ndaluan në Shqipëri pritësin e mijëra tonë vaj palme ku ishin “shkrirë” 200 kg kokainë.Kjo ishte sasia më e madhe e drogës e kapur ndonjëherë në Shqipëri, por në fakt brenda në vajin e palmës që u bllokua në Shqipëri ndodhej vetëm një sasi e vogël kokaine e lënë nga autoritetet belge, të cilat bënë në fshehtësi sekuestrimin e rreth 200 kg kokainë, dhe “lejuan” me dashje vijimin e udhëtimit, për të parë itinerarin dhe personat e implikuar.Kjo sasi droge e përzier me vaj palme ishte nisur nga Kolombia me destinacion Shqipërinë, konkretisht qytetin e gurtë të Gjirokastrës me pritës shtetasin me inicialet Dh.H., biznesmen nga qyteti jugor. Kamioni kishte targa maqedonase “KU 190 CF” (koka e trajlerit) dhe “KU 590 CE” (rimorkio që transportonte kontejnerin e ngarkuar në Amerikën Latine).Konstatimi se brenda vajit të palmës ishin shkrirë 200 kg kokainë është bërë nga autoritetet portuale të Belgjikës, pasi anija që transportonte kontejnerin e mbushur me vaj palme u kishte kaluar autoriteteve portuale të Spanjës pas nisjes nga Kolombia. Belgët kanë bërë një “lojë” që përdoret gjithmonë e më shpesh në rrugëtimet e sasive të tilla të mëdha të drogës.