Grabitet një banesë te “Shallvaret” në Tiranë, autorët marrin 30 mijë lekë dhe bizhuteri me vlerë 3 milion
Një banesë është grabitur mbrëmjen e së dielës vetëm pak metra larg drejtorisë së policisë së Tiranës. Sipas denoncimit të bërë nga një grua 53-vjeçare, të paktën dy persona hynë në banesë nga dritarja kur nuk ka pasur njeri. Autorët kanë marrë bizhuteri dhe rreth 30 mijë lekë ndërkohë që ende nuk janë identifikuar nga policia.
Dy persona hynë nga dritarja në këtë banesë në katin e dytë të këtij pallati tek Shallvaret në Tiranë duke grabitur një sasi monetare dhe bizhuteri.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30 të së dielës, 23 maj vetëm pak metra larg drejtorisë së policisë së kryeqytetit.
Sipas denoncimit të bërë nga 53-vjeçarja Marjana Veneti, autorët që kanë qenë më shumë se dy persona, i kanë vjedhur një shumë prej 30 mijë lekësh si dhe bizhuteri me vlerë 300 mijë lekë.
Në momentin e grabitjes, ajo së bashku me familjen nuk kanë qenë në shtëpi pasi janë kthyer rreth orës 21:00.
Dera kryesore nuk ka qenë e hapur dhe pronarët nuk konstatuan shenja dhune ndërkohë që dritarja e njërës prej dhomave ishte thyer.
Sipas 53-vjeçares, autorët kanë hyrë përmes dritares në pjesën e pasme të pallatit nga muri rrethues i shkollës "Dora Distria."
Edhe pse ngjarja ka ndodhur në një zonë të populluar dhe në një orar ku ka qarkullim, forcat e rendit nuk kanë arritur të ndalojnë autorët.
Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve përreth me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes si dhe identifikimin e autorëve.
