"Koha të nisim negociatat me Shqipërinë", 3 ministrat e Jashtëm konfirmojnë mbështetjen për integrimin
Pas takimeve në Maqedoninë e Veriut ku u diskutua procesi i integrimit, tre ministrat e Jashtëm të Austrisë, Çekisë dhe Sllovenisë u ndalën në Tiranë për të folur pikërisht për negociatat.
Qëndrimi ishte i njëjtë, Shqipëria është shumë pranë nisjes së bisedimeve por këtë radhë kishte dhe një premtim.
"Në presidencën sllovene keni një mbështetës të fortë dhe një bashkëbisedues shumë aktiv për të përmbushur të gjithë objektivat e nevojshëm për anëtarësim në BE" tha ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Anze Logar.
"Jemi gati tu ndihmojmë në atë që do të jetë një proces i vështirë por jam i sigurt që në fund të fundit ne do të jemi në gjendje që ta mirëpresim Shqipërinë si anëtare të re të familjes tonë europiane" deklaroi ministri i Jashtëm i Republikës Çeke, Jakub Kulhanek.
"Nuk ka arsye për vonesë të mëtejshme dhe mund t'ju siguroj se do të bëjmë maksimumin brenda BE për tu siguruar që këto bisedime për anëtarësim të hapen më së fundi" u shpreh ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg.
Për ministren tonë të Jashtme Olta Xhaçka prezenca e tre homologëve tregon mbështetjen për Shqipërinë.
"Prania në Tiranë është një tregues i mbështetjes së tyre dhe vendeve që përfaqësojnë ndaj Shqiëprisë por edhe rajonit para vendimit të rëndësishëm që presim nga Këshilli Europian këtë qershor.
Ministrat ndërkohë i bën thirrje BE për përshpejtimin e vendimmarrjes për zgjerimin.

