Kim kujton "Skënderbeun": SHBA do jetë me ju ndërsa ndërmerrni detyra të vështira
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, ka vlerësuar edhe një herë marrëdhënien e mirë mes dy popujve tanë, amerikanë dhe shqiptarë.
Duke folur në ekspozitën e arsenalit ushtarak të NATO-s në kuadër të "Defender 2021", Kim tha se SHBA qëndron përkrah popullit shqiptar për një Shqipëri demokratike, të pavarur dhe të fortë
"Marrëdhënia mes amerikanëve dhe shqiptarëve duhet të vlerësohet mbi gjithçka tjetër. "Defender Europë 2021" vjen ndërsa festojmë 30 vjetorin e përfundimit të diktaturës komuniste, fillimin e demokracisë në Shqipëri dhe rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes SHBA dhe Shqipërisë. Vjen gjithashtu 100 vite pasi SHBA qëndrojnë me ju me kërkesën tuaj të drejtë për një Shqipëri të pavarur dhe të lirë, ne qëndrojmë me ju sot me mbështetje të fortë dhe solidaritet të plotë për një Shqipëri demokratike, të pavarur dhe të fortë".
"Do të vazhdojmë të qëndrojmë me ju", vijoi Kim, "ndërsa ndërmerrni detyra të vështira që janë të nevojshme në mënyrë që Shqipëria të arrijë potencialin tuaj të plotë".
Sipas diplomates, këto detyra janë të vështira por jo të pamundura.
Por edhe nëse do të ishin të pamundura, Yuri Kim tha nëse është dikush që mund të sfidojë vështirësitë ky është populli shqiptar.
"Ju e keni bërë këtë përgjatë historisë herë pas here. Jam vërtet e prekur që qëndroj këtu në Shqipëri dhe mund të shoh dritën në sheshin "Skënderbej" te statuja e Heroit tuaj, që duhet të jetë një hero për të gjithë ne sepse është një simbol i unitetit, kurajos, qëndrueshmërisë dhe vizionit. Jam krenare që jam këtu me ju sot, jam krenare që jeni me ne si aleatë këtu sot, nesër, krah për krah përgjithmonë" tha Kim.
Aktiviteti në sheshin "Nënë Tereza" u përshëndet dhe nga kryeministri Rama dhe presidenti Ilir Meta.


