Premtimi i pambajtur i Ramës në Laç, banorët: Ku është spitali?

Laçi është pa spital që pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, çka i detyron reth 74 mijë banorë që në rast nevojë të udhëtojnë drejt qyteteve të tjera për trajtim mjekësor. Sipas premtimit të qeverisë, spitali i ri duhet të përfundonte më 4 qershor, por punimet janë ende në themel. Vonesat me rindërtimin, nxorrën në protestë banorë e përfaqësues të shoqërisë civile që quajtën premtim të pambajtur.

Prej 26 nëntorit 2019 kur spitali i Laçit u dëmtua nga tërmeti, rreth 74 mijë banorë të Laçit duhet të udhëtojnë drejt qyteteve të tjera për të marrë shërbim mjekësor.

Të sëmurët kronikë janë ata që po e vuajnë më shumë këtë situatë.

"Jam paraplegjik i sëmurë, duhet të shkoj në Lezhë apo Tiranë për vizita. Spitali nuk është bërë, në Fier e bënë. Është shumë problem për mua, nuk kam para me lëviz".

Në muajin shkurt kur nisën punimet e rindërtimit, përfaqësues të qeverisë premtuan se spitali i ri do të ishte gati brenda katër muajve.

Por puna ka ngelur në fazën fillestare dhe gati prej dy muajsh gjithçka ka stopuar.

"Me 4 shkurt ka nisur spitali dhe me 4 qershor duhet të përfundonte, vetëm me magji mund të përfundojë."

Ndaj banorë e përfaqësues të shoqërisë civile në Laç dolën në protestë para kantierit duke e konsideruar premtim të pambajtur spitalin e ri.

"U premtua që për 6 muaj do të kishim spitalin e ri.Askush nuk mori përsipër të mbante premtimin e tij ashtu siç e dha kryeministri Rama tre herë para qytetarëve të Kurbinit dhe asnjëherë nuk patëm realizimin e atij premtimi. Kemi përballë kantierin e kompanisë turke që edhe sot që është e dielë nuk pushon ndërsa në kantierin për ndërtimin e spitalit ka dy muaj që nuk punohet."

Siç tregon kjo tabelë e dëmtuar, katër qershori ishte përcaktuar si data e përfundimit të spitali të ri të Laçit që ka mbetur ende në themel dhe askush nuk jep arsyen pse.