Qipro, gjallërohen resortet turistike

Qiproja javë më parë lehtësoi udhëtimet me 65 vende për arsye turistike dhe për ata që janë vaksinuar plotësisht kundër Covidit-19. Resortet bregdetare të vendit janë rigjallëruar por mbetet i lartë rreziku i rasteve me infeksion.

Qiproja ka hapur sezonin turistik dhe plazhet e vendit po zhumojnë nga turistët e shumtë.

Prej 10 majit, në shtetin ishullor mund të udhëtosh pa kryer paraprakisht një test ndaj koronavirusit dhe pa u futur në karantinë, nëse i ke bërë të dyja dozat e çfarëdo vaksine të miratur në Bashkimin Europian, vaksinën ruse "Sputnik V" ose atë kineze, "Sinopharm".

Për personat që vijnë nga vende me situatë të rënduar epidemiologjike, të pavaksinuar, mbetet në fuqi kushti për testin PCR që kryhet me të mbërritur kundrejt pagesës 30 euro, përpos testit negativ që duhet përpara nisjes për udhëtim.

Edhe pse sektori shpreson rimëkëmbjen, autoritetet qipriote flasin për një stinë të vështirë turizmi pasi po rriten rastet e infektimit me Covid-19.

Të mërkurën vendi diktoi të paktën katër raste të variantit indian të koronavirusit dhe dy të llojit jugafrikan, te persona të ardhur nga vende që e kanë të detyrueshëm karantinimin 14-ditor.

Britanikët dhe rusët janë turistët kryesorë që e zgjedhin destinacionin mesdhetar por situata ka bërë që shumë veta t'i anulojnë vizitat.

45 për qind e banorëve të Qipros janë vaksinuar me të paktën një prej dozave të vaksinave.

Në pjesën jugore të administruar nga qeveria qipriote janë raportuar deri tani mbi 70 mijë të infektuar ndërsa pandemia u ka marrë jetën më shumë se 350 qytetarëve në vend.