Zgjedhjet brenda PD, Gashi: Nëse Basha fiton si kryetar, partia është e destinuar të rrijë edhe një 8 vjeçar tjetër në opozitë
Pedagogu Shpend Gashi i ftuar në studion e RTV Ora foli për zgjedhjet brenda Partisë Demokartike. Ai u shpreh se brenda partisë nuk ka ndryshim, por po bëhet një riciklim mes figurave. Sipas Gashit do duhet një proces më i thellë dhe më transparent.
Gashi: "Të lind një hije dyshimi sa e drejtë do jetë kjo garë, sa e pastër dhe sa demokraci ka brenda PD. Unë nuk mund të akuzoj një person politik pa pasur një veprimtari të dukshme, por mund të hedh hipotezat e mia dhe mund të them që nuk po bëhet ndryshim, thjesht po bëhet një riciklim mes figurave. Duhet një proces sa më i thellë dhe transparent. Po shikohet edhe një frymë arrogante, pra po kërkohet ndryshimi përpara PD. Me pak fjalë po thua që ti nuk je më, sepse nuk ke trend fitues. Ke humbur 3 përballje, tani sa duhet? Po pret rotacionin përsëri në 2025?"
Afrimi i datës së zgjedhjeve, sipas Gashit i leverdis vetëm zotit Basha, pasi kandidatët e tjerë nuk kanë kohë të përgatisin tezat.
Gashi: "Afrimi i datës së zgjedhjeve brenda partisë i bën favor atij që është në karrigen e kryetarit, sepse kundërshtarët e vet nuk kanë kohë për të përgatitur tezën e tyre. Nga ana tjetër është edhe grupi brenda PD që kanë dalë me 2-3 kandidatë, pra për të ndarë sa më shumë vota. Ideja është për të dobësuar faktorin Basha. Nëse Basha del përsëri fitues dhe kryetar i PD, PD është e destinuar të rrijë edhe një 8 vjeçar tjetër. "
Pedagogu shprehet se zoti Shehaj mund të jetë një kërcënim për kandidaturën e kryetarit Basha.
Gashi: "Besoj se zoti Agron Shehaj mund të jetë një kërcënim serioz për kandidaturën e kryetarit Basha. Më i papërgatituri nga kandidatët është vetë zoti Basha, sepse ai nuk i njeh strukturat e PD. Po t'i njihte nuk do dilte 2 muaj në fushatë, nuk do t'i ristrukturonte sa për të thënë për t'u mbajtur në këmbë. Zoti Basha në çdo studio ecën me një refren "Ndryshimi do vijë. Po mirë ndryshimi erdhi, po si? "
Përsa i përket kandidaturës të një figure femërore, Gashi shpreht se është për t'u vlerësuar guximi i zonjës Harxhi.
Gashi: "Teorikisht mund të ngrihet imazhi i një zonje shumë të nderuar asnjëherë e përfolur për afera korruptive dhe me një CV të pasur. Por a është gati PD që ët udhëhiqet nga një grua? Duke parë se sa patriarkale është shoqëria shqiptare. Është për t'u vlerësuar guximi i zonjës Harxhi për kandidaturën, e gjithë pjesa që ajo do të japë kontributin e vet është për t'u vlerësuar. Zoti Kadilli është ndoshta më agresivi ndaj zotit Basha. Ibsen Elezi është një figurë shumë e dashur dhe popullore. "
Ndërsa për shpalljen "non grata" të zotit Berisha, Gashi shprehet se e shikon si një qasje gjeo-politike dhe një kritikë të Amerikës.
Gashi: "Kjo është çështja 1 milion dollarëshe në Shqipëri në këto momente. Unë jam brez i demokracisë, kështu që kurrsesi nuk mund të jem i lidhur mendërisht apo emocionalisht me sistemin e kaluar. Unë e shikoj një qasje gjeo-politike, një kritikë të Amerikës dhe jam i mendimit që PD nuk dëmtohet fare nga shpallja "non grata" e zotit Berisha. Bëhet fjalë për një figurë shumë të madhe dhe me shumë peshë në historinë e Shqipërisë, me qeverisjen më të mirë. "
Intervistoi Xhoi Malësia, përgatiti për online Xhuliana Zhuleku
