"Reforma në drejtësi po krijon shumë Falcone", Soreca: Shqipëria është gati për çeljen negociatave
Përfaqësuesi i Brukselit në Shqipëri komentoi shkurt për herë të parë shpalljen non grata nga SHBA të ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Ky është një vendim i qeverisë së SHBA-së, e respektojmë plotësisht, nuk kam një koment për të bërë për këtë.”
Nga Korça, në ditën që përkoi për përvjetorin e vrasjes së prokurorit italian Xhovani Falkone, Luigi Soreca, i njohu përparime Shqipërisë, në luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
"Për mua kjo ditë është veçantë sepse 29 vite më parë në Itali u vra gjyqtari Falcone. Ai ishte personi që e krijoi këtë koncept të ndjekjes së parave. Ata e vranë Falconen por nuk mundën të vrisnin idetë dhe parimet e tij. Shqipëria ka dhënë prova në luftën kundër krimit të organizuar. Nuk është ende i mjaftueshëm. Kjo punë mjafton të çelen negociatat por duhet ende shumë punë. Sot në këtë ditë të veçantë, mund të them se mund t’ia dalim".
Kishte edhe një konstatim për reformën në drejtësi.
"Reforma në Drejtësi po krijon shumë Falcone në Shqipëri”.
Duke i njohur arritje Shqipërisë, ambasadori i BE thotë se është koha e çeljes së negociatave.
"Shqipëria ka ecur përpara vërtetë shumë, Shqipëria është shumë pranë atij çasti për fillimin e negociatave dhe ne vërtetë mendojmë se kjo kohë tashmë ka ardhur. Më lejoni të përsëris një gjë që unë e kam thënë edhe në të shkuarën, që BE nuk ka për të qenë i plotë nëse në të nuk do të jenë pjesë vendet e Ballkanit Perëndimor".


