"Është vendim i qeverisë së SHBA", Soreca nuk komenton shpalljen "non grata" të Berishës
Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, ka shmangur komentet lidhur me vendimin e DASH për shpalljen "non grata" të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Nga Korça, Soreca u shpreh:"Jo nuk kam koment për të bërë, është një vendim që është marrë nga qeveria e SHBA dhe nuk kam koment".
Ambasadori Soreca është besimplotë se vendi jonë nuk ka qenë kurrë më pranë hapjes së negociatave me BE, ndërsa pyetjes se kush është përgjegjës për këtë integrim të vonuar ai ju përgjigj me rrëfimin e një miku të tij shqiptar.
"Do tu them se çfarë më ka thënë një mik i ngushtë shqiptar para disa javësh. Ky miku im është profesor, është në moshë dhe më tha se që prej 1991 Shqipëria ka ecur përpara vërtet shumë por shtoi se vajza ime mendon se ky avancim nuk ka qenë kaq i shpejtë. Shqipëria ka ecur përpara vërtet shumë, është shumë pranë atij çasti për fillimin e negociatave dhe ne mendojmë se kjo kohë ka ardhur. BE nuk ka për të qenë i plotë në rast se në të nuk do të jenë shtetet e Ballkanit Perëndimor".
Ndërsa kujtoi 29 vjetorin e vrasjes nga mafia të Giovanni Falcones, Soreca tha se Shqipëria ka ende punë në luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave. Por nënvizoi se Reforma në Drejtësi po krijon shumë “Falcone” në Shqipëri.
"Dita e sotme është e veçantë se si sot 29 vjet më parë u vra gjyqtari Falcone. Ishte personi që krijoi konceptin e ndjekjes së parasë. Ata vranë Falconen por nuk mundën të vrisnin idetë e tij dhe parimet që ai la. Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave. A mjafton kjo punë? Jo, ka shumë punë për të bërë dhe ne do ta ndihmojmë Shqipërinë, sidomos me konceptin e ndjekjes së parave. Do t'ja arrijmë. Reforma në drejtësi po krijon shumë Falcone në Shqipëri".
Ambasadori i BE-së i shoqëruar dhe nga dy kolege të vendeve anëtare ishte në Korçë në kuadër të turit të ndërmarrë për "Ditët e Europës."
"Kemi nisur një rrugëtim 3 javësh në Shqipëri nga veriu në jug. Për ne është kënaqësi të takohemi me të ardhmen e Shqipërisë dhe kjo e ardhme janë të rinjtë e saj. Ne dëshirojmë të bisedojmë me krerët e bashkive për punën që bëjnë dhe punën që duhet të bëjnë për integrimin europian. Nuk kemi qenë kurrë më pranë për fillimin e negociatave".