Qeveria Kurti dhe liberalizimi i vizave, shumica politike do që të adresojë aspektet teknike jo politike
Qeveria e kryeministrit Albin Kurti ka premtuar një qasje të re ndaj procesit të liberalizimit të vizave, të fokusuar më së shumti te përmbushja e aspekteve teknike të procesit, sesa ato politike. Opozita dhe raportuesja e vendit në Parlamentin Europian thonë se duhen kontaktuar shtetet ende skeptike për lejimin e Kosovës në Shengen.
Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk lëviz dot lirshëm në Zonën Shengen, edhe pse i përmbush kriteret bazë.
Qeveria Kurti miratoi në fillim të majit një qasje të re ndaj procesit të liberalizimit të vizave, duke e rikthyer atë në shinat më teknike.
Thelbi në periudhën afatshkurtër do të jetë te çlirimi i sistemit të drejtësisë nga ndikimi politik, ndërsa afatmesëm, vetingu brenda sistemit.
Por opozita e quan këtë strategji të ngushtë në veprim dhe të gabuar, bindje që e ndajnë deputetja Ariana Musliu-Shoshi e PDK-së dhe Emir Abrashi i organizatës "Demokracia Plus".
Musliu-Shoshi: Në program thotë që do ta kthejmë nga proces të politizuar në një proces teknik. Kjo qeveri duhet ta ketë një strategji të veçantë që t’i bindë shtetet të cilat fatkeqësisht na kanë njohur dhe nuk janë që ne të marrim liberalizimin e vizave. Kjo është një vështirësi që kjo qeveri do ta ketë sepse duhet që këto shtete t’i bind. Kur binden këto shtete ne mund ta marrim liberalizimin e vizave sepse ne kemi plotësuar gjitha kriteret teknike. Ky është një gabim ose një jo informim i zotëri Kurti.
Abrashi: Tek kërkesa e liberalizimit të vizave Qeveria pretendonte që nga një proces politik të kthente në një proces teknik. Mirëpo duhet pasur parasysh që ky proces është kthyer në një proces politik nga ana e BE-së. Prandaj është jo realiste që qeveria jonë të synojë t’i jap kahe tjetër këtij procesi. Ne është thënë edhe stërthënë që i kemi përmbushur gjitha kriteret për liberalizim të vizave. Atë dyfish më shumë kritere se gjitha vendet e rajonit. Ngërçi për liberalizim të vizave mbetet tek qasja politike e shteteve. Prandaj qeveria duhet të fokusohet edhe në diplomaci në këtë aspekt dhe të punojë me të gjitha shtete e BE-së. Ne kemi marrë dritën e gjelbër nga ana e Komisionit Evropian dhe Parlamentin Evropian. Tash dihet që procesi nga mbetur te ministrat e brendshëm të shteteve anëtare të BE-së. Prandaj ne duhet të jemi shumë pro aktiv në procesin e lobimit me këto shtete dhe sidomos me shtetet si Franca dhe Holanda që nuk po e përkrahin këtë proces.
Faktin se liberalizimi i vizave për Kosovën po kushtëzohet për motive politike, e pranon edhe raportuesja e vendit në Parlamentin Europian, Viola fon Kramon, në një prononcim për agjencinë e lajmeve, KosovaPress.
Pengesë mbetem disa shtete, më së shumti Franca.
Von-Cramon: Liberalizimi i vizave supozohej të ishte një çështje teknike dhe Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet teknike gati tre vjet më parë. Kryeministri Kurti ka të drejtë që i duhet të tregojë gatishmërinë e Kosovës në këto procese teknike. Qeveria duhet të jetë e gatshme të angazhohet me autoritetet përkatëse në lidhje me çështjet teknike në rast se ata dëshirojnë të kenë vlerësimin e tyre. Sidoqoftë, problemi është gjithashtu politik, pasi disa shtete anëtare të BE (më së shumti Franca) nuk është e gatshme të lëvizë në këtë drejtim, me gjithë gatishmërinë teknike. Kjo është arsyeja pse Kryeministri Kurti do të duhet të përpiqet të hyjë në një dialog politik dhe të bindë qeveritë përkatëse jo vetëm për detajet teknike por gjithashtu të adresojë disa nga shqetësimet e tyre për pasojat e tjera.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli-Dalipi, ka besim se lufta e qeverisë ndaj krimit dhe korrupsionit do i bindë shtetet e BE-së për t'u lejuar lëvizje të lirë qytetarë të Kosovës.
Pacolli-Dalipi: Ne i kemi plotësuar kriteret, mirëpo BE-në duhet ta bindim, shtetet veç e veç. Duhet ta bindim Francën, Holandën dhe shtetet tjera që ndoshta kanë dilema rreth çështjes sonë sa i përket përmbushjes së kritereve...ne nuk mund të deklarohemi as të japim data dhe të japim data se kur mundet me pas lëvizje. Puna jonë është që të punojmë pa ndal edhe me shtetet anëtare të gjitha, e sidomos me ato që kanë akoma dyshim. Kjo është detyra jonë, pasi ne nuk mund të japim data sepse nuk varet prej neve, as institucioneve të BE-së, por prej vendimeve të shteteve veç e veç[... ]ne jemi ndryshe nga qeveritë e kaluara, ne kemi qëllim me luftua korrupsionit dhe krimin e organizuar dhe asnjë vendim i qeverisë aktuale nuk do të jetë në kundërshtim me parimet e BE-së.
Në një seancë të fundit, Parlamenti Europian i dha sërish mbështetje çështjes së liberalizimit të vizave me Kosovën, ndërsa nuk dihet nëse kjo do të jetë në axhendën e presidencës së ardhshme sllovene gjatë vitit 2021.

