Ronaldo shpëton Juventusin dhe Andrea Pirlon

Cristiano Ronaldo “nxjerr nga balta” Juventusin dhe e rikthen te fitorja. Në momentin më të vështirë të bardhezinjve, sulmuesi portugez shënon 2 herë për t’i dhënë fitoren “Zonjës së Vjetër” me përmbysje në transfertën ndaj Udineses.

Një gol i Molinas në 10’ ia bëri shumë të vështirë ndeshjen ekipit të Pirlos që nuk po reagonte dhe nuk po jepte shenja për ta kthyer ndeshjen.

Në pjesën e dytë kur po afrohej fundi, një goditje dënimi e Ronaldos u prek me dorë nga një lojtar i Udineses duke i dhënë penalltinë Juventusit me portugezin që nuk fali. Bardhezinjtë u hodhën të gjithë në sulm dhe sërish ishte merita e Ronaldos që me kokë pas një asisti të Rabiot e çoi topin në rrjetë.

Një sukses shumë i vështirë që ende mban në lojë Ronaldon me shokë për një vend në Champions League teksa Atalanta, Juventus, Milan, Napoli dhe Lazio luajnë për 3 vendet e tjera pas Interit.