Shehi: Të fitojmë me Bylisin, titulli nuk është në dorën tonë

Java e 31-të e Superiores sjell një duel delikat për Tiranën e cila do të luajë në Ballsh ndaj Bylisit dhe pas 2 fitoreve radhazi, bardheblutë nuk mund të bëjnë hap fals dhe një gjë të tillë e vë në dukje edhe trajneri Orges Shehi.

“Bylisi është kundërshtar i fortë, luan futboll me intensitet të lartë dhe këtë e kanë anën më të fortë. E dimë mirë se është ndeshje e rëndësishme, pasi në këtë fazë të kampionatit të gjitha skuadrat kanë objektivat e tyre. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për të ardhmen tonë”.

Trajneri bardheblu nuk kërkon tja lëri fatit ndeshjen edhe pse Tirana fiton shumë rrallë në një fushë të vështirë si Ballshi.

“Për mua është hera e parë që shkoj në Ballsh si trajner i Tiranës dhe nuk do komentoj çfarë ka ndodhur në të shkuarën. E thashë se janë të fortë dhe në fushën e tyre shprehen më mirë, por nëse shohim statistikat e Tiranës, kemi fituar ndaj skuadrave që janë poshtë në renditje. Çdo ndeshje duhet vlerësuar, shihet edhe në rezultatet e çdo jave që duken edhe të çuditshme. Pengu im i vetëm është fati im i keq që nuk isha në ndeshjen me Teutën sepse isha me COVID-19”.

Shehi deklaroi se Tirana nuk e ka në dorën e saj çështjen e titullit pasi janë disa skuadra përpara por e pranoi se ekipi ka rikuperuar shumë pikë që me ardhjen e tij në stol.

“Kemi rikuperuar shumë. Ka qenë distancë e madhe dhe rikuperimi është i konsiderueshëm, ndaj tani duhet t’i vëmë kapakun. Të japim maksimumin tonë dhe të mendojmë vetëm ndeshjen e radhës. Me lojtarët në dispozicion mendoj se mund t’i kapim objektivat. Sigurisht nuk është njësoj si të jesh trajneri i tretë në një sezon dhe të jesh trajneri i parë, ku t’i vendos konceptet e tua. Ne jemi të pestët dhe mendoj se nuk mund të flasim për titullin kur kemi katër skuadra përpara. T’i marrim shkallët një nga një, nuk është në dorën tone”, përfundoi trajneri bardheblu i cili u shpreh se nuk mendon ende për konfirmimin në krye të Tiranës për sezonin e ardhshëm.