Atl. Madrid i falet shtyllës, fiton dhe ruan kryesimin

 

Pak ditë pas dhuratës që i bëri Barcelona, Atl. Madrid nuk gabon në transfertën ndaj Elches edhe pse fitorja erdhi me drithërima të mëdha për “los colchoneros”. Skuadra e Simeones triumfoi minimalisht 1-0 me golin e shënuar nga Marcos Llorente që në minutën e 23’ me mesfushorin që po bën rolin e një golashënuesi të vërtetë me asiste dhe rrjeta shumë të rëndësishme.

Në pjesën e dytë, Simeone duket se tërhoqi ekipin për të ruajtur rezultatin dhe kur u duk se gjithçka po mbaronte me fitoren e tyre, Elche fiton një penallti për prekje të topit në zonë. Fidel ekzekutoi 11-metërshin që fatkeqësisht për ekipin e tij preku shtyllën dhe doli jashtë, ndërsa Atletico duhet ta konsiderojë veten me shumë fat pasi ndeshja mbaroi pas asaj penalltie.

Tani Atl. Madrid kryeson me 5 pikë ndaj Barcelonës e cila luan ndaj Valencias të Dielën dhe ndërkohë më 8 Maj këto dy skuadra do të përballen për të vendosur titullin por pa harruar Real Madrid dhe Sevillan që janë ende në garë për trofeun e madh.