Tirana kalon Vllazninë, futet në garë për titull

 

Edhe Tirana futet në garën për titull pas suksesit minimal 1-0 në derbin e Shqipërisë  ndaj Vllaznisë me golin deçiziv të shënuar nga Batha në 73’ në një ndeshje tepër të luftuar nga të dyja skuadrat në “Selman Stermasi”. Në supersfidën e javës së 30-të, bardheblutë u treguan më të zotë në shfrytëzimin e rasteve dhe ishte Batha që i dha 3 pikë shumë të rëndësishme për renditjen ekipit të Shehit dhe tani mund të thuhet që edhe Tirana ka shanse për titull. Vllaznia mbetet aty për momentin në vendin e tretë me 2 pikë më pak se Teuta kryesuese.

Ndërkohë pas minutes së 80’ ndeshja u ndërpre disa minuta nga arbitri pasi ambulanca u largua nga stadium me Da Silvan e Vllaznisë dhe pa u kthyer sërish në stadium ndeshja nuk mund të fillonte. Pas pothuajse 11 minutash ndeshja rinisi për t’u mbyllur 1-0.