Dortmund “blindon” Bellingham, Haaland drejt largimit në verë

Dortmund është në qendër të sulmeve të merkatos nga klubet e mëdha. Krahas Sancho dhe Haaland,drejtuesit duhet t’u rezistojnë edhe ofertave tepër joshëse nga Premier League për talentin Bellingham.

Mesfushori 17-vjeçar vetëm në sezonin e tij të parë me Dortmund ka luajtur 27 ndeshje, jo të gjitha si titullar por ka impresionuar gjithmonë ndërsa ka marrë edhe elozhet e Guardiolës. Pikërisht Man. City dhe Chelsea duan ta blejnë për sezonin e ardhshëm por Dortmundi e konsideron të pashitshëm lojtarin anglez.

Të detyruar nga kriza financiare por dhe rritja e defiçitit buxhetor deri në minus 80 mln euro, drejtuesit mund të bëjnë një sakrificë në merkato këtë verë dhe i destinuar është Erling Haaland. Bomber norvegjez ka një mal me oferta nga klubet më të rëndësishme dhe për Joachim Watzke do të jetë e pamundur të ndalojë edhe dëshirën e lojtarit për të luajtur me një ekip të madh.

Të paktën 100 mln euro pritet të arkëtojë Dortmundi nga shitja e sulmuesit dhe ky operacion do të jetë i vetmi i rëndësishëm pasi të tjerët do të qëndrojnë për të ringritur skuadrën që gjithsesi po lufton dhe ka shpresa për t’u kualifikuar në Champions League.