Ciao Pirlo. Juventus vendos, rikthehet në stol Allegri

 

Durimi ka një kufi dhe te Juventusi duket se e kanë pranuar që projekti me Andrea Pirlon ishte i gabuar, për të mos thënë i dështuar.

Edhe pse me fjalë është konfirmuar që Pirlo do të qëndrojë nëse arrin kualifikimin në Champions League, tashmë as kjo e fundit nuk e shpëton më me mbylljen e sezonit ndaj dhe “Zonja e Vjetër” po përgatitet për rikthimin e bujshëm të  Massimiliano Allegrit.

Një vendim i tillë lidhet me faktin se Juventusi dëshiron të fitojë, është ndërtuar për të fituar dhe Pirlo është larg një objektivi të tillë edhe nëse do të qëndrojë sërish aty ndaj dhe Allegri si një njohës i mirë i ambientit mund të rikthejë bardhezinjtë te titujt.

Për më tepër, trajneri Italian ka miqësi të madhe me Agnellin me të cilin u nda me marrëveshje dy vite më parë dhe që prej atëherë, Allegri ka qëndruar pushim në pritje të një projekti të rëndësishëm.

Vitin e kaluar Allegri ishte pranë stolit të Interit kur zikaltërit kishin ngrirë raportet me Conten pas disa kritikave të këtij tëfundit dhe prej kohësh ai ka refuzuar edhe klube të rëndësishme por duket se fati i tij do të jetë sërish Juventusi.

Një tjetër temë për t’u diskutuar është edhe fati i Ronaldos i cili me ardhjen e Allegrit mund të shtyhet edhe më shumë për t’u larguar pasi pikërisht trajneri Italian ishte një nga ata që i kërkonte Agnellit të mos e mbante më gjatë portugezin në skuadër.