Brdariç: Ndaj Tiranës të gjithë presin spektakël, ne duam fitoren

Vllaznia bashkëkryesuese e kampionatit bashkë me Partizanin do të ketë një sfidë shumë të rëndësishmë në javën e 30-të të Superiorës, ndaj Tiranës në “Selman Stërmasi”. Për trajnerin Thomas Brdariç, kjo sfidë ka rëndësi të madhe ndërsa konsideron bardheblutë si ekip shumë të fortë.

“Nesër luajmë ndaj një ekipi që kërkon të na mposhte dhe i ka cilësitë dhe duhet të jemi gati për çdo situatë të krijuar. Superiorja nuk është një kampionat i çuditshëm, por është i fortë. Janë shumë ekipe që mund të mposhtin çdo skuadër. Duhet te jemi të përgatitur, e dimë si duhet të luajmë ndaj Tiranës.”

Brdariç mendon se presioni është te kundërshtarët që luajnë në shtëpi por siguroi se do të ketë spektakël në fushë.

Nesër të gjithë presin spektakël. Të dyja ekipet kanë cilësi dhe do kërkojnë t’i shfaqin dhe të luajnë futboll. Synimi është të shënojmë, por duhet edhe të mos pësojmë. Duhet të vazhdojmë me punën e mirë dhe nëse e bëjmë do të ruajmë pozitat tona. Do futemi në fushë për fitore, e kemi treguar se mund ta bëjmë këtë. Ndryshimi i stadiumit? Duhet at pranojmë vendimin e Tiranës. Nuk ka rendësi ku luajmë, jemi përgatitur për këtë ndeshje. Në këtë ndeshje shkojmë me të gjithë lojtarët dhe me shumë energji”, përfundoi trajneri i ekipit shkodran.