Valentino Rossi, tani në Moto GP edhe si investitor

Është një nga pilotët që na ka argëtuar prej vitesh me garat spektakolare në pistë por vitet e fundit rendimtenti i tij ka rënë dhe fitoret nuk po vijnë. Është fjala për Valentino Rossin, pilotin italian i cili këtë vit është me Petronas si pilot dhe për vitin e ardhshëm ka shumë paqartësi nëse do të vazhdojë të garojë ndërsa së fundmi zbulohet se ai do të jetë edhe për një kohë të gjatë por si investitor.

Konfirmohet se skuadra e ngritur nga Rossi, e quajtur VR46 ka nënshkruar një marrëveshje sponsorizimi dhe bashkëpunimi me Tanal Entertainment Sport&Media, shoqëri e familjes mbretërore saudite dhe së bashku do të garojnë për 5 vitet e ardhshme në Moto GP.

Skuadra e tyre e përbashkët do të quhet Aramco Racing Team dhe si motorë është sugjeruar të jenë ato të Aprilias RS-GP.

Këtë vit VR46 garon vetëm në Moto 2 dhe synimet ishin për të garuar në kategorinë mbretërore të Moto GP dhe pas kësaj marrëveshjeje tashmë bëhet realitet ndërsa do të ketë edhe një rrjet të madh sponsorizimi për të qenë menjëherë kompetitiv që në sezonin e ardhshëm. Pavarësisht përfshirjes së Rossit si investitor dhe pronar skuadre në Moto GP, të gjithë janë mësuar ta shikojmë në pistë dhe do të jetë e vështirë për tifozët e “Doktorit” që të mësohen ta shikojnë nga “Paddock”.