Neymar: Dua Championsin, rinovimi me PSG do të bëhet

Në prag të duelit ndaj Man. City në gjysmëfinalen e Champions League, Neymar foli për disa gjëra të rëndësishme i ngacmuar edhe nga gazetarët, në veçanti për rinovimin me PSG, për të cilin dha sinjale pozitive.

“Kam folur edhe më përpara për rinovimin e kontratës (skadon në 2022). Ajo që mund të them është se jam më i lumtur se kurrë te PSG dhe me klubin po bisedojmë, besoj se do të bëhet.”

Neymar jep edhe arsyet se përse ndihet i lumtur dhe indirekt jep indikacione që ndodhet në një klub ku i ka të gjitha dhe mund të fitojë çdo titull.

“Klubi po përmirësohet, është shumë më i respektuar dhe sot është mes 4-5 klubeve më të rëndësishme të botës. Po rritemi akoma dhe jemi në gjysmëfinale të Champions League dhe vitin e kaluar ishim në finale. Do të punojmë për t’u përmirësuar akoma. Kur kam ardhur këtu kam patur vështirësi dhe tani jam shumë mire për të arritur objektivin e madh, të fitojë Championsin dhe të bëj historinë e PSG.”

I pyetur për mundësinë e fitimit të Topit të Artë, braziliani tha se nuk e mendon aspak teksa lavdëroi Kylian Mbappe si një lojtar i jashtëzakonshëm me të cilin janë shumë miq.