Nuk ka fitues në gjysmëfinalen e parë, Real Madrid barazon me Chelsean

Duhet pritur ndeshja e dytë për të kuptuar finalistin e Champions League nga çifti Real Madrid-Chelsea. Në sfidën e parë të luajtur në shtëpinë e Los Blancos, ekipi i Zidane barazon 1-1 dhe sigurisht është rezultat që favorizon ekipin anglez pasi goli i shënuar në fushë të huaj shihet gjithmonë si avantazh. 

Ndeshje shumë e hapur  në pjesën e parë ku të dyja skuadrat mund të shënonin disa herë dhe gjithçka ndodhi pas shënimit të golit të parë nga Chelsea në minute e 14’.

Rudiger jep një super asist nga mbrojtja për Pulisiç i cili merr topin në zonë, shmang portierin Courtois për t’i dhënë avantazhin “bluve të Londrës”.

Kaq mjaftoi që Real Madrid të sulmonte më shumë duke lënë pas hapësira dhe të paktën në 3 raste kundërsulmi Chelsea mund ta ndëshkonte por nuk ia doli.

Ndërkohë skuadra e Zidane gjithmonë me Benzema fillimisht goditi shtyllën por vetëm në 29’ pas një goditje dënimi u shërbye me kokë në zonë dhe me një kthesë çau rrjetën e Mendy.

Pjesa e dytë ishte diçka më pak e luftuar se fraksioni i parë por sërish skuadrat mund të kalonin në avantazh dhe patën raste shënimi.

Gjithsesi portat mbetën të paprekura dhe rezultati përfundimtar është 1-1 dhe gjithçka do të luhet në Stamford Bridge në sfidën e dytë.