"Kujt i duhet ky numër?" Rama merr në mbrojtje patronazhistët dhe publikon të dhënat e kartës së tij ID
Edi Rama nuk e konsideron problem publikimin e të dhënave të mbi 900 mijë shtetasve shqiptarë. Për të shuar zërat që e konsiderojnë skandal databazën e votave ai lexoi në takimin elektoral në Elbasan të dhënat e kartës së tij të identitetit.
Rama: Numri i kartës time është G40704039G. Kujt i duhet ky numër, ç’i duhet? Se e dëgjuat Liken, më kanë marrë numrin, o Like po ne të dimë shumë gjëra ty, prandaj mos u shqetësoni fare, ID e cila është trashëguar nga një kohë tjetër, sot nuk është ende ID që duhet të jetë sepse do të ishte problem nëse ID jonë nuk do ishte thjesht një dokument identifikimi, por do kishte brenda të dhënë të tjera konfidenciale sic kanë ID e tjera në shumë vende, kjo është si me të marrë targën e makinës.
Kreu i qeverisë bëri fajtore opozitën për publikimin e të dhënave duke u shprehur se Partia Demokratike synon të pengojë fitoren e Partisë Socialiste.
Rama: Ka një përpjekje të tërbuar për ti futur pasigurinë, ankthin, për ti futur në konfuzion dhe çoroditur sikur çfarë ka ndodhur.
Patronazhistët i mori sërish në mbrojtje, duke thënë se është krenar për ta teksa nuk harroi të shigjetonte kundërshtarët politikë.
Rama: Partia Demokratike vjen vërdallë si aeroplan pa bisht pa llogaritur pastaj partinë tjetër të profesor doktoreshë infermiere Monika Kryemadhit, se ajo është hataja më e madhe.
Ndërkohë kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në takimet elektorale të së martës u fokusua në audiopërgjimin e drejtorit të Agjencisë së Kadastrës, Artan Lame, të cilin e quajti akt kriminal.
Basha: E dëgjuat sesi drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës me porosi të Edi Ramës udhëzon që të shkojnë derë më derë dhe tu thonë familjeve se do tu bëjmë legalizimin pasi të na jepni votën por në fakt ne nuk do t’ua bëjmë por nuk mund t’ua themi tani.
Ky është një akt kriminal sepse çdo shtëpi nga ato qindra dhe mijëra që ai do ti prishë pas 25 prillit është sakrifica e jetës, e familjes, e bijve dhe bijave tuaja në emigracion. Premton legalizim kur në fakt qëllimi është t’uia prishë pas zgjedhjeve pa dëmshpërblim, vetëm që tu marrë votën me mashtrim. Ky është Edi Rama i vërtetë, kjo është politika që shkatërroi vendin për 8 vite me radhë, ky është njeriu që kërkon edhe katër vite të tjera.
Le ta marrë përgjigjen nga e gjithë Shqipëria ne të largojmë duke votuar numrin 9 për të përfunduar procesin e legalizimit. Për të gjithë ata që meritojnë dhe do të kenë me planin tonë përfundimin e këtij procesi.Ora e ndryshimit nuk ka të ndalur. Asnjë të mos mbetet në shtëpi, të gjithë tu drejtohen kutive të votimit. Ndryshimi është në dorën tonë, mjafton të shkojmë të votojmë numrin 9 për të hapur derën e shpresës, derën e mundësive ekonomike. Do të jetë nga ato fitore historike që do të mbahet mend.
Të përveshim mangët për të bërë të mundur zhvillimin e vërtetë për ti dhënë fund abuzimit 8 vjeçar. Me 25 prill duke votuar për numrin 9 do të votoni për amnistinë totale të gjobave korruptive. Nga Tropoja në Sarandë etjen për ndryshim ta kthejmë në uraganin masiv të votave për ndryshim. Ditën e dielë të gjithë masivisht për Shqipërinë si gjithë Europa.
Ai tha se në 25 prill merr fund politika e mashtrimeve.
Basha: Për ti dhënë fund dimrit 8 vjeçar, për ta larguar njëherë e mirë me votën më të madhe popullore njeriun që 8 vite me radhë e mbajti vendin peng.
Pasi prezantoi programin politik, Lulzim Basha u bëri thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e të dielës.