Plagosja në Kavajë, Bylykbashi: Veprim i pastër për goditjen e zgjedhjeve por nuk e tremb opozitën, përgjigjja me 25 prill
Partia Demokratike e cilëson plagosjen me armë zjarri të sekretarit të PD-së Kavajë, Bledar Okshtuni, në ambientet e zyrës elektorale një ditë më parë një akt të pastër politik për të goditur zgjedhjet dhe trembur opozitën.
Oerd Bylykbashi, kandidat për deputet i PD-së në Durrës, i ftuar në Rtv Ora teksa tregon foton e autorit të plagosjes në shoqërinë e funksionarëve socialistë, thotë se panorama është e qartë dhe çdo përpjekje e Ramës për të zvogëluar këtë ngjarje është e dështuar.
Po kaq të dështuar e sheh edhe përpjekjen për të trembur zgjedhësit, pasi siç thotë ai situata të tilla vetëm sa i karikojnë më shumë ata.
Bylykbashi: Kjo është fotoja, ky është personi që ka kryer krimin, këta janë të gjithë funksionarë të PS apo të bashkisë së Kavajës. Shihet rrethi miqësor me të cilët ka qëndruar ky person para se të kryejë veprën penale. Është një veprim i pastër për goditjen e zgjedhjeve, goditjen e demokracisë, goditjen e opozitës. Nëse në javën e fundit të fushatës në një zyrë elektorale ndodh një plagosje nga një person që shoqërohet nga funksionarë të PS kjo është fare e qartë. Përpjekjet e Edi Ramës për ta zvogëluar, për të thënë që nuk është politike dhe pastaj për ta përfshirë në PD, përpjekje të një njeriu që ka humbur, nuk di të çfarë të thotë më. Edhe pse është një përpjekje për të trembur opozitës ka zero vlerë, nuk e tremb opozitën, në datë 25 merr përgjigjen. Këto janë veprime që e karikojnë më shumë zgjedhësin, thonë ky është shteti që na qeveris, banda që na qeveris. Pret dhe këto 4-5 ditë, qëndron i heshtur dhe me datë 25 pavarësisht çdo përpjekje për të zvogëluar pjesëmarrjen në votim, njerëzit do të dalin të votojnë. E shoh në fushatë.
Referuar edhe fushatës së tij në Durrës, Bylykbashi thotë se ka një duf të mbledhur te qytetarët që mezi presin ta nxjerrin me 25 prill.
Bylykbashi: Takojmë njerëz që edhe pse kanë frikën e goditjes nga taksidarët e shtetit, kërkojnë të mos fotografohen por menjëherë më pas thonë se ky njeri duhet të ikë menjëherë, po ata njerëz flasin për ndryshim. Nuk po flas për militantë të PD, por njerëz të thjeshtë që takojmë në rrugë, që na ndalojnë dhe thonë kur do të ikë Edi Rama. Shohin një pikë referimi për të shprehur këtë duf që kanë mbledhur.Nuk i shohim të trembur, thjesht po presin momentin që me datë 25 të shkojnë të votojnë.
Bylykbashi foli edhe për masat që ka marrë Partia Demokratike dhe opozita për të mbrojtur votën ditën e dielë.
Bylykbashi: Ditën e votimit komisionerët e PD do të jenë aty për të mbrojtur votën e tyre. kemi marrë masa shtesë për të mbrojtur kutitë nga mbushja e kutive, që është pajisja elektronike e identifikimit të zgjedhësve. Nëse janë 500 fletë votimi në kuti duhet të jenë 500 gjurmë gishtash të ndryshëm, nuk mund ti mbushin me vota të emigrantëve socialistë që nuk kanë ardhur në Shqipëri. Ka një kamer në çdo qendër votimi që komisionerët e PS të mos i bëjnë presion zgjedhësit.Me datë 25 prill shqiptarët duhet të dalin të votojnë masivisht, nuk i bëjnë dot derman pjesëmarrjes në votim socialistët.
Sa i takon skandalit me databazën e PS me të dhënat personale të 910 mijë zgjedhësve në kryeqytet, Bylykbashi thotë se këto zgjedhje janë prova më e madhe e SPAK për të provuar që godet korrupsionin zgjedhor dhe çon njerëz para drejtësisë.
Bylykbashi: Gjurmët i kanë te PS, dueht të shkojnë dhe të sekuestrojnë databazen dhe të vënë para përgjegjësisë penale personat që kanë dhunuar të dhënat personale, shpesh herë sensitive, të zgjedhësve shqiptarë dhe të mos merren me median që denoncoi skandalin. Prova e madhe për SPAK janë këto zgjedhje për të provuar që godet korrupsionin zgjedhor dhe çon njerëz para drejtësisë. Ne kemi bërë kallëzim penal, presim përgjigje.
Intervistoi Beti Njuma, përgatiti për online Besjana Kuçana