Formula 1, Rosberg triumfon në çmimin e madh te Montekarlos

Niko Rosberg ka respektuar traditën familjare dhe 30 vite pas suksesit të babait të tij, Keke Rosberg, ka arritur të marrë vendin e parë në Çmimin e Madh të Monakos.Në rrugët e Montekarlos piloti gjerman i Mercedes ka dominuar dhe ka arritur të ruajë me qetësi vendin e parë nga nisja deri në fundin e garës, gjatë të cilës kishte dy hyrje të makinës së sigurisë për shkak të aksidenteve. Për më tepër gara u ndërpre plotësisht me flamur të kuq për 20 minuta pasi një pjesë e barrierës mbrojtëse përfundoi në pistë si rrjedhojë e një aksidenti.Pas krahëve të Rosberg, përfundoi dyshja e Red Bull, Vetel dhe Ueber, të cilët me hyrjen e parë të makinës së sigurisë përfituan nga një hyrje e shpejtë për ndryshimin e gomave për t'i rrëmbyer vendin Luis Hemilton. Ky i fundit, gjatë gjithë garës tentoi të rifitonte pozicionin e tij duke qenë vazhdimisht në sulm, por e kishte ta pamundur të bënte parakalimin që do ta ngjiste Britanikun në podium. Pas katër vendeve të para shpërtheu një luftë e ndezur ku në fund, vendin e pestë e fitoi Adrian Sutil me Force India. Piloti gjerman realizoi dy parakalime spektakolare e të guximshme ndaj Xhenson Baton e Fernando Alonso, duke marrë një pozicion të cilin as që e kishte menduar në këtë fundjavë. Baton me MekLaren siguroi vendin e 6-të, ndërsa Alonso të 7-tin, në  një fundjavë aspak pozitive për Ferrarin.Piloti tjetër i kokëkuqes, Felipe Masa, u përplas duke mbyllur në mënyrën më të keqe pjesëmarrjen e këtij viti në Monako. Vendi i 8-të i shkoi pilotit Vernje me Toro Roso,  i cili kaloi Pol Di Resta me makinën tjetër Force India dhe Kimi Raikonen. Ky i fundit përfundoi në këtë pozicion pas një përplasje me Serxho Perez, i cili gjatë dhe pas garës u përfshi në polemika si me Xhenson Baton, ashtu edhe me Fernando Alonson. Gara e Montekarlos u shoqërua jo vetëm me aksidente të shumta por edhe me me një tension të madhe mes pilotëve të cilët kanë hapur shumë polemika rreth ngjarjeve të ndodhura.Pas çmimit të madh të Monakos, renditjen e pilotëve e kryeson kampioni i botës në fuqi, Vetel me 107. Në vendin e dytë është kimi Raikonen me 86 pikë ndërsa në të tretin renditet piloti spanjoll i Ferrarit, Alonso me 78 pikë.