Chievo kërkon të marrë teknikun e kuqezinjve, De Biasin

Paraqitjet e shkëlqyera të kombëtares shqiptare në këtë edicion të eliminatoreve të Botërorit 2014, e kanë bërë trajnerin Xhani De Biazi një emër të kërkuar në Itali, ku nuk drejton që prej sezonit 2009-2010. Sipas mediave italiane, për trajnerin e kuqezinjve tashmë interesohet Kievo, që ka nisur kontaktet me të për t'i ofruar pankinën e e skuadrës për sezonin e ardhshëm.Dje ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës Euxhenio Korini, trajneri që mbylli sezonin në stolin e ekipit veronez. Për të plotësuar këtë vend tashmë vacant, drejtuesit e Kievos nuk kanë vonuar dhe kanë bërë menjëherë një tentativë për të bindur De Biazin që sezonin e ardhshëm të marrë drejtimin e skuadrës nga Verona.Sipas mediave italiane bëhet e ditur se ishte drejtori sportive, Xhovani Sartori, që  i ka telefonuar teknikut të kuqezinjve, duke i ofruar mundësinë që të ulet në pankinën e kësaj skuadre, e cila tashmë është kthyer mes atyre ekipeve që përfaqësohen rregullsht në Serinë A.Nuk është bërë e ditur ende se çfarë përgjigje është dhënë nga De Biazi, por me sa duket të dy palët do të kthehen të bisedojnë pas 7 Qershorit, kur të jetë luajtur ndeshja e Shqipërisë kundër Norvegjisë dhe të jetë krijuar një ide më e qartë për të ardhmen e kuqezinjve në grupin e eliminatoreve të Botërorit.Një ditë më parë, në konferencën për shtyp para grumbullimit të përfaqësueses shqiptare, De Biazi anashkaloi temën e ofertave që i kishin ardhur nga klubet dhe rinovimin e mundshëm me përfaqësuesen, duke deklaruar se preferon të përqëndrohet te e tashmja dhe ndeshja e ardhshme e kuqezinjve ndaj Nordikëve.