Mourinho përgatit merkaton e Chelsea pa nënshkruar akoma

Ish trajneri i Real Madrid, Hoze Murinjo, vazhdon të insistojë se kalimi i tij në radhët e skuadrës së Chelsit, do të sjellë një goditje të madhe në merkato. Tekniku portugez nuk dëshiron të ndahet nga ylli portugez, Kristiano Ronaldo, ndaj dhe kërkon ta marrë me vete te blutë e Londrës, me të cilët flitet se “Special One” do të vazhdojë detyrën si trajner duke filluar nga muaji Qershor. Trajneri portugez mendohet se ka bindur Roman Abramoviç, të bëjë gati një çek për futbollistin e Real Madrid, i cili deri tani nuk ka rinovuar kontratën e tij me spanjollët.Dëshira e lojtarit do të jetë ajo që do të bëjë diferencën në fund, pasi në rast se nuk rinovon, Reali e di mirë se në sezonin e ardhshëm vlera e tij do të ulet ndjeshëm. Ndaj nëse Ronaldo do të kërkojë transferimin, madrilenët do të kërkojnë të rifitojnë shumën e 80 milion paund që paguan për të në vitin 2009. Me këto para ata do të hidhen menjëherë në sulm për të bërë përforcimet e nevojshme në skuadër për të ardhmen.Përkrah pistës së Ronaldos, Çelsi po ndjek me vëmendje edhe situatën e sulmuesit të Napolit, Edinson Kavani, si dhe atë të Uejn Runit, sulmuesit të Mançester Junajtid. Të dy lojtarët kanë kërkuar të largohen nga skuadrat respektive dhe Murinjo ka dhënë miratimin e tij për të patur në skuadër dy prej sulmuesve më të mirë në qarkullim. Meqenëse Abramoviç ka vënë rreth 100 milion paund në dispozicion për merkaton ë klubit, Murinjo do të ketë mundësi të bëjë investime të rëndësishme, ndaj ideja që një prej këtyre lojtarëve të përfundojë në Londër nën urdhrat e tij, duket mëse e mundur.Ndërkohë, mediat angleze insistojnë se portugezi ka kërkuar nga një përforcim si në mbrojtje ashtu edhe në mesfushë, ku synon të marrë dy lojtarë të tjerë nga Real Madrid. Qendërmbrojtësin Rafael Varane, dhe mesfushorin  Ksabi Alonso. Për tu bërë vend këtyre lojtarëve, ai është gati të sakrifikojë David Luiz, i cili i intereson Realit dhe mund ta përdorë si shkëmbim për futbollistët që do të marrë me vete nga madrilenët.