Shqipëria “merr hak”,Nishani bojkoton Samitin e Ohrit: Nuk u ftua Kosova
Një ditë pas vendimit për të mos marrë pjesë në Samitin e Ohrit, presidenti Bujar Nishani, ka shpjeguar arsyet e këtij vendimi.Sipas njoftimit të presidencës theksohet se: "Proçesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, mbetet forumi qëndror dhe një nismë unike, bazuar në vullnetin e vetë vendeve të rajonit, por ai duhet të jetë institucioni gjithëpërfshirës, ku të gjithë vendet e rajonit të jenë të pranishme dhe të unifikojnë qëndrimet e tyre për problemet e përbashkëta në proçesin e zhvillimit dhe integrimit në familjen evropiane"."Jo izolimi dhe përjashtimi, por bashkëpunimi dhe integrimi janë kushtet për suksesin e plotë të misionit të tij" theksohet në njoftimin e presidencës.Presidenti Bujar Nishani, duke theksuar marrëveshjen e 23 Shkurtit 2012 për Përfaqësimin dhe Bashkëpunimin Rajonal, si edhe Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, datë 19 Prill 2013, shpreh zhgënjimin lidhur me kushtëzimin destruktiv që i bëhet pjesëmarrjes dhe përfaqësimit të vendeve të rajonit në Samitin e Ohrit, një veprim i paprecedentë dhe në kundërshtim të plotë me të gjitha marrëveshjet dhe parimet e lartpërmendura, si edhe frymën e dialogut e bashkëpunimit në rajon.