Dëshmitari “B” ka mohuar se e kanë keqtrajtuar në Kleçkë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin “Kleçka”, sot e ka përfunduar dëshminë e tij, dëshmitari i mbrojtur me shifrën “B”. Ai ka thënë se kishte qenë i arrestuar nga Policia Ushtarake e UÇK-së, por nuk ka qenë i keqtrajtuar gjatë kohës sa ishte në qendrën e parandalimit në Kleçkë.Përmes video-lidhjes, dëshmitari i mbrojtur, i koduar me shifrën “B”, i ka thënë trupit gjykues se trajtimi gjatë kohës sa ka qenë i ndaluar në qendrën e paraburgimit në Kleçkë, nuk ka qenë i keqtrajtuar fizikisht dhe as në mënyrë psikike.Dëshmitari tha se ai kishte qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por në maj të vitit 1999, gjatë ofensivave të forcave serbe, ishte arrestuar nga ta dhe nën torturat që ia kishin bërë, ishte detyruar t`i tregonte emrat dhe pozicionet e UÇK-së. Pasi që ishte liruar nga forcat serbe, ai ishte arrestuar nga Policia Ushtarake dhe ishte dërguar në Kleçkë.Dëshmitari theksoi se në Kleçkë ishte intervistuar nga një gjykatës i cili ishte prezantuar si Petrit Ujmiri, dhe më pas nga gjykata ushtarake e UÇK-së ishte dënuar me një muaj burgim, dënim këtë që e kishte mbajtur vetëm 3 javë.Gjatë dëshmisë së tij, ai tha se fillimisht kishte menduar se njëri nga të akuzuarit, Nexhmi Krasniqi, e kishte parë atë në Kleçkë.Por, sipas dëshmitarit “B”, kur janë arrestuar të dyshuarit e ka kuptuar se e kishe gabuar identifikimin e personit që ka kontaktuar në burgun e Kleçkës dhe vetëm pas arrestimit të tyre e kishte parë për herë të parë Nexhmi Krasniqin.Pas përfundimit të seancës, edhe avokati i Nexhmi Krasniqit, Mahmut Halimi, tha se klienti gjatë asaj kohe nuk kishte lëvizur asnjëherë në Kleçkë.“Me faktin se Nexhmi Krasniqi ka qenë komandant i Policisë Ushtarake me vendndodhje në Kosterc të komunës së Suharekës, që i takon Zonës Operative të Pashtrakut, tregon se Nexhmi Krasniqi nuk ka pasur lidhje të bëjë ndonjë lëvizje eventuale në Kleçkë”, theksoi ai.Në këtë seancë, dëshmitari tha se nga burgu i Kleçkës ishte liruar me një vendim të gjykatës ushtarake të UÇK-së, vendim të cilin ia kishe sjellë Agim Zogaj, i njohur në këtë proces si dëshmitari “X”.Seanca e radhës ndaj Fatmir Limajt dhe nëntë bashkëluftëtarëve të tij do të vazhdojë nesër, ku dëshminë e tij pritet ta jep dëshmitari i mbrojtur me shifrën “I”.