Kryeministri Sali Berisha pret kryetarët e Bashkësive Islame të Ballkanit

“Nuk janë besimet që i vendosin njerëzit kundra njëri-tjetrit, por politikat që i përdorin si pretekst besimet”, - u tha Kryeministri Berisha kryetarëve të Bashkësive Islame të Ballkanit, në prag të Konferencës të 6-të të tyre që filloi sot në Tirane.Kryeministri Sali Berisha priti sot kryetarët e Bashkësive Islame të Ballkanit. Pasi i uroi mirëseardhjen dhe suksese në konferencën e 6-të të tyre që filloi sot në Tirane, Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e madhe të dialogut me njëri-tjetrin, nga i cili nuk duhet të lodhet askush, ndërsa veçoi shembullin e Shqipërisë, besimet fetare të së cilës nuk e përçanë për asnjë moment këtë komb. “Edhe Ballkani mund të jepet si shembull në botë për bashkekzistencën paqësore të besimeve fetare”- tha  Kryeministri Berisha.Kryeministri Berisha u tha kryetarëve të Bashkësive Islame të Ballkanit se homologët e tyre në Tiranë e nisen nga zero ringritjen, pas batërdisë që bëri komunizmi, me prishjen  e gjithë infrastrukturës së këtij besimi, e cila sot e rindërtuar tërësisht do të kurorëzohet me xhaminë e madhe të Tiranës.Prof.Dr Mehmet Gormez, kryetar i Komunitetit Mysliman të Turqisë, falenderoi personalisht, në emër të kryetareve të Bashkësive Islame të Ballkanit,  Kryeministrin Berisha për mbështetjen e gjithanshme që i ka dhënë komunitetit mysliman, ndërsa u shpreh se mezi prisnin lëvizjen e kamionëve në sheshin e ndërtimit të xhamisë së madhe të Tiranës,  të cilën, ai tha se do ta mbështesnin fort.Prof.Dr Gormez tha se e kishin falur namazin një ditë më parë në Shkodër, ku fare pranë xhamisë ishte kisha. Europa ka 300 vjet që nuk e mëson dot këtë leksion që jep Shqipëria për harmoninë fetare, tha ai, i cili shtoi se Kryeministri Berisha ishte me fat që një muaj para zgjedhjeve takonte kaq krerë fetare që luteshin për shëndetin dhe suksesin e tij.