Berisha i përgjigjet Ramës: Administrata e lirë të mbështesë cilëndo parti
Kryeministri i është përgjigjur nga Elbasani deklaratave të kreut të opozitës se PD po u bën presion për votën e tyre punonjësve të administratës duke i nxjerrë në sheshet elektorale. Berisha tha se punonjësit e administratës nuk janë robotë, por janë njerëz të lirë e mund të shprehin bindjet e tyre në çdo formacion politik. Berisha tha se çdo qytetar mund të bëhet pjesë e këtyre mitingjeve,duke përjashtuar punonjësit e policisë së shtetit, ushtarakët dhe punonjësit e SHIK-ut."Nuk besoj kurrë se ka ekzistuar ndonjëherë ne Europë një opozitë e tillë. Rama deklaron se ata që vijnë në sheshin e PD, ata janë robër. Unë i them atij zotërisë se, duhet të mbajë zerimërimin, nervozimin. I them nëse ke hyrë në këtë betejë, lufto, qëndro aty, por jo fyerje kolektive. Se punonjës të kësaj administrate, në Shkodër e në Vlorë nuk janë robotë, por janë qenie shoqërore, politike dhe sa kohë të votohet Sali Berisha ata do dalin në sheshe me cilën forcë politike të duan. Ata, kanë të gjitha të drejtat politike të dalin në mitingje, përveç ushtarakëve, punonjësve të policisë dhe punonjësve informativë të shtetit. Të gjithë të tjerët jeni të ftuar të ushtroni vullnetin tuaj të mbroni në fushatë pikëpamjet që dëshironi, ndaj dhe i nderuar zotëri nis e shkon në Gjirokastër dhe shpall e fyen punonjësit. U thua robër. Një mesazh më erdhi, më thoshte, 'z kryeministër se ne jemi njerëz të lirë, ai mesa duket është rob i së shkuarës së tij, nuk kemi c'ti bëjmë'. Po, po, por unë ju ftoj të injorojmë sharjet, akuzat, trillimet, dhe të vazhdojmë me vepra si kjo, me rrugë, shkolla, në mbështetje të fermerëve", u shpreh Kryeministri.Ndërsa ishte i pranishëm në ceremonine e inaugurimit te nenstacionit elektrik te OST-se, 400 KV ne Fushe Mbret dhe nenstacionit 220 kV ne Bradashesh ne Elbasan, Kryeministri ka siguruar të gjithë investitorët se deklarata e shefit të opozitës për anullimin e koncensioneve janë të parealizueshme pasi kontratat janë votuar në parlament."Alternativa tjetër është ajo e kërcënimit të padenjë ndaj investitorëve, alternativa që thotë çdo ditë se do të shqyrtojnë koncesionet dhe ju njoftoj se kanë krijuar zyrën e shqyrtimit të marrëveshjeve dhe koncesioneve, në një akt të padenjë e të papërgjegjshëm. Ata, të cilët investojnë në Shqipëri kanë e do të kenë garanci të plotë se marrëveshjet koncesionare janë marrëveshje të miratuara në parlament dhe janë interesi më i mirë i qytetarëve shqiptarë. Dua t'ju them gjithashtu se nëse ato shumë të pakta marrëveshje koncesionare që gjetën nga paraardhësit tanë, asnjë prej tyre nuk ishte me fee koncesionare. Ndërsa të gjitha këto marrëveshje kanë fee koncesionare, pra, tarifën që koncesionari u paguan qytetarëve shqiptarë si taksë, përveç taksave të tjera. Ndaj u themi krijoni një, por 15 zyra, se të gjitha do ju mbeten të mbyllura, se në Shqipëri do të ndërtohen të gjitha veprat hidroenergjetike" përfundoi Berisha.