Kryeministri Berisha në 22 vjetorin e BSPSH-së
Rroga dhe kushte më të mira për të gjithë punonjësit. Me këtë premtim u është drejtuar kryeministri Sali Berisha përfaqësuesve të sindikatave të Shqipërisë. Në 22 vjetorin e grevës së përgjithshme të sindikatave, Kryeministri është angazhuar për plotësimin e kërkesave të sindikatave për këto çështje.“Zoti Kalaja, ju kërkoj të vendosni një dialog me minatorët dhe të premtoj këtu, në këtë ditë solemne për ju e çdo shqiptar, se qeveria është e vendosur të plotësojë maksimumin e kërkesave që ju do të paraqisni si përfaqësues i tyre. Ky është borxhi, ky është detyrimi moral, ligjor e i gjithanshëm ndaj atyre burrave, ndaj jush e ndaj sindikatës, që shënoi një kthesë të madhe në histori” tha Kryeministri.Por shefi i mazhorancës në këtë përvjetor ka etiketuar përmes akuzave edhe rivalin e tij politik, Edi Rama, se bëri të gjitha përpjekjet për dështimin e proçesit integrues. Berisha tha se Rama me 23 qershor do të shënojë humbjen e tij më të madhe, duke e krahasuar këtë me atë të Vaterlosë.“Edvin Kristaq Rama dëshmoi guxim negativ, të ligë, të paimagjinueshëm, për të shkelmuar interesin e çdo qytetari shqiptar, socialist, demokrat, të paparti dhe të çfarëdo bindjeje. Statusi i vendit kandidat, miqtë e mi, ishte pasaporta e dytë pas NATO-s, që na duhet më shumë neve, fëmijëve tanë, fëmijëve të fëmijëve tanë. Pas 22 vitesh hakmerret primitivisht për Vaterlonë që u rezervuam etërve të tyre. 23 qershori po vjen dhe unë ju jap fjalën juve, avokatë të shkëlqyer të interesave të punonjësve shqiptarë, se qeveria do të bëjë gjithçka, për rroga dhe kushte më të mira për të gjithë punonjësit e Shqipërisë. Unë besoj se e dëshmuam këtë gjatë këtyre viteve. Kur premtuam ato rritje, askush nuk i besonte dhe menduan se janë elektorale. Jo, ato nuk ishin elektorale, por respekt i palëkundur dhe besimi më i thellë se pa vendosur mësuesin në piedestalin tij, nuk do të kemi Shqipërinë e dijes, nuk do të kemi garën e dijes që meritojmë në këtë vend, me besimin se pa vendosur infermierët, mjekun në piedestalin e vet, ne nuk do të kemi shërbimet që na duhen dhe e meritojmë. E gjithë kjo histori nuk ka të ndalur. Katër vitet që vijnë, jo më kot, jo pa qëllim, unë kam e shpallur 700 dollarë rrogën e mësuesit. Dua t’u them zyrtarëve të tjerë se jeni shumë të rëndësishëm, jeni pasuri kombëtare, por misionarët më të rëndësishëm të këtij kombi janë mësuesit. Ato që mësuesi u mëson fëmijës sonë, nesër janë ata, djali apo vajza, burri apo gruaja që ua mëson fëmijës së tij dhe kështu e kalon nga gjenerata në gjeneratë. Ndaj ne do të vazhdojmë rritjen e rrogave, të pensioneve” theksoi ai.Në këtë cermoni Berisha deklaroi se greva 22 vite më parë pati një qëllim themelor, që nuk ishin as rrogat e pensionet, as strehimi. Sipas Berishës, qëllimi ishte fitimi i së drejtës themelore për liri dhe ecje para drejt Europës. Shefi i qeverisë nënvizoi se greva ishte një rezistencë paqësore e punonjësve të Shqipërisë, e cila ia arriti të gjunjëzojë perfundimisht regjimin diktatorial.