Meta: LSI, prioritet pjesëmarrjes së grave në politikë
Kreu i LSI-së Ilir Meta ka prezantuar kandidaten për deputete në Njësinë 1 në Tiranë, Klajda Gjoshën. Meta kërkoi votën për LSI-në në 23 qershor, si forca politike që mbështet gratë dhe vajzat, e që ka prioritet punësimin e tyre.“LSI i jep një prioritet të veçantë si asnjë parti tjetër pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në jetën politike, sepse pjesëmarrja në rritje e vajzave dhe grave në jetën politike është garancia kryesore për përfaqësimin e denjë dhe të duhur në shoqëri në familje në të gjithë jetën ekonomike e shoqërore të grave dhe vajzave në të gjithë vendin” ka theksuar Meta.Duke rikonfimuar mbështetjen për biznesin fason, Meta tha se pas fitores së 23 qershorit do i jepet mbështetje e veçantë bizneseve që punësojnë gratë.“Ne do t'i japim një mbështetje të veçantë punësimit në të gjithë bizneset, sidomos sa i takon biznesit fason, sa i takon të gjitha bizneseve në fushën e shërbimit, në mënyrë që ne të arrijmë të shtojmë vendet e reja të punës sidomos për gratë dhe për vajzat” tha Meta.Meta premtoi që brenda 4 viteve bizneset që iniciohen dhe drejtohen nga vajzat dhe gratë e Shqipërisë do dyfishohen deri në 35 %.