Berisha me sipërmarrësit: Kualifikimin të punonjësve dhe ulje të taksave
Kryeministri Berisha ka premtuar sot uljen e mëtejshme të taksave si dhe kushte më të mira infrastrukturore për sipërmarrësit.Në një bashkëbisedim me sipërmarrës dhe punonjës në Korçë, kryeministri theksoi se qeveria do të përqëndrohet në kualifikimin e punonjësve për të bërë të mundur edhe rritjen e biznesit."Në katër vitet që vijmë ne do të bëjmë një kuadër të ri ligjor për krahun e punës. Do bëjmë gjithçka të krijojmë kushte infrastrukturë sipërmarrësve. Do marrim shpenzimet e të një punëtori në periudhën e trajnimit dhe kualifikimit sikundër zyrat e punës do të marrin funksione të reja për punësimin. Do të vendosim modelin gjerman. Ai është vërtetuar si modeli më i suksesshëm. Në këtë model parimi bazë është cdo punë është më e mirë se ndihma e shtetit. Ne nuk e kemi zhvilluar shumë partneritetin publik privat. Partneriteti publik privat ka një aspekt themelor, që është garanci absolute e privatit, e cila është një levë Arkimedi për zhvillimin e ekonomisë” shtoi Berisha.Sipas kryeministrit, filozofia e qeverisë është ulja e mëtejshme e taksave. "Ne edhe në kulmin e një krize evropiane, nuk besojmë se zgjidhja është rritja e taksave. Ne besojmë se rritja e taksave dhe taksat e larta në vlerësimin tonë kanë qenë një nga shkaqet më madhore të krizës. Ndaj dhe ne absolutisht kemi marrë dhe do ndërmarrim çdo hap për uljen e mëtejshme të taksave. Ne hoqëm taksën për çdo lloj kapitali, për çdo lloj biznesi. Kjo është rikthim i madh për një praktikë që kishte nisur në 1995, por tani e vendosim në spektrin më të gjerë. Ne ndërhymë mbi tatimin mbi të ardhurat personale për punonjësit në 300 mijë lekë në muaj" tha Berisha.Kryeministri gjithashtu vlerësoi edhe takimit që ka zhvilluar kohët e fundit me qytetarët, fermerët por edhe me sipërmarrësit që sipas tij kanë shërbyer për vendime të vyera që do vihen në zbatim në mandatin e tij të ardhshëm.