Demokraci pa politikanë?
Ky është titulli i një shkrimi të profesorit të njohur gjerman Hans Peter Bull botuar në gazetën prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zejtung” të datës 11 mars të këtij viti. Autori thotë se “shumica e qytetarëve janë të pakënaqur me politikanët” dhe se “parlamentarët, qeveritarët dhe politikanët lokalë shihen ‘si klasë politike’ e neveritshme, që nuk përmbush funksionet e saj demokratike”.Gjermania, vendi më i zhvilluar i Europës, me një shtet ligjor tepër funksional, me një demokraci shumë të konsoliduar e përherë në zhvillim, me pavarësi të plotë e të padiskutueshme të organeve kushtetuese, pra kjo Gjermani e sheh të nevojshme, sipas profesorit Bull, por edhe të shumë kolegëve të tjerë të tij, reformimin e sistemit politik, të funksionimit të partive politike, të Parlamentit, të raporteve të partive me zgjedhësit, me parlamentarët federalë e lokalë, me qeveritarët. Po hidhen ide deri duke përfituar edhe sot nga demokracia e lashtë greke me mënyrën se si zgjidhen politikanët, si emërohen, kush i zgjedh apo kush duhet t’i zgjedhë, çfarë përfaqësojnë, ç’raporte kanë me zgjedhësit dhe strukturat qeverisëse federale apo të landeve. E në vazhdim dy gjëra mbeten themelore. Ç’moral politik e shoqëror kanë politikanët, të zgjedhur apo të shoqëruar, dhe sa dhe si u shërbejnë atyre që i kanë zgjedhur.Pra kërkohen reforma. Them se nuk e njoh pak jetën politike gjermane, por nuk kam dëgjuar ndonjë rast që deputetët të jenë trafikantë partish për të mbetur deputetë. Kujtoj që në vitin 1999, një deputete e SPD të Kancelarit Shrëder, votoi kundër dërgimit të trupave gjermane në kuadër të NATO-s në Kosovë dhe duke e uruar në podium Kancelarin për fitoren që arriti në votim dha dorëheqjen nga SPD.Ne jemi në fushatën zgjedhore të 23 qershorit. Natyrisht, shpalosen programe, bëhen kritika, akuza, justifikohen ndëshkime, bëhen premtime, dhe këto janë të natyrshme. Por ajo që bie më shumë në sy gjatë kësaj fushate në debate televizive e në shtyp, ajo që po komentohet përditë, është se në pjesën dërrmuese, politikanët tanë nuk kanë moralin e nevojshëm politik. Kjo fushatë, ndryshe nga çdo fushatë e mëparshme, flet për një mungesë të madhe besimi të qytetarëve ndaj politikanëve. Të gjithë i kemi parë të ikin, të shajnë, të pështyjnë, të vijnë prapë, të lëpijnë, të kandidojnë për një mandat për njërën parti, të largohen prej saj, të kandidojnë diku tjetër, të fitojnë, të ikin edhe prej aty, të kthehen prapë aty ku kanë qenë, sikur nuk ka ndodhur asgjë, qetë-qetë, me karshillëk përpara qytetarëve. Nuk vihen në lista, ikin në parti të tjera, nuk prish asnjë pune, mjafton që të mbeten në politikë dhe të gjithë i ha meraku për integrimin e Shqipërisë. Disa krijojnë parti të reja fantazmë, luftojnë partitë që kanë përfaqësuar, kthehen përsëri, presin për t’u vënë në lista duke shkrirë partitë. Sot në takimet me elektoratin këtë takëm politikanësh e sheh t’u buzëqeshë zgjedhësve si stjuardesat në avion kur të pyesin “kafe apo çaj?”. Këta kërkojnë votën, këta i mbushin mendjen vetes se pa to nuk bën politika, se Shqipëria nuk merr dot frymë pa ta. Se kur flasim për rrotacion, ky rrotacion nuk përjashton edhe largimet, edhe ardhjet e reja. Janë për t’u përshëndetur dhe për t’u vlerësuar ata politikanë që kanë kontribuar në politikë, që për një arsye apo tjetër sot nuk janë përfshirë nëpër lista, por që mbeten personalitete dinjitoze dhe me reputacion në popull.Mjaft probleme që po i ndeshim në këtë kuadër, tregojnë një degradim të sistemit politik në tërësi të vlerave morale politike. Votohen partitë – thuhet sot përditë! Dakord, por njerëzit duhet të dinë kë i ke sjellë, nga ia ke sjellë, pse ia ke sjellë, dhe ky është një detyrim ndaj qytetarëve, ndaj votuesve, anëtarëve dhe simpatizantëve të çdo partie.Duke marrë shkas për këto rreshta nga shkrimi që citova në fillim i gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zejtung”, po e përkthej atë për botim me disa shkurtime.“Demoskopia nganjëherë është e pasigurt, por një gjë duket: Shumica e qytetarëve janë të pakënaqur me politikanët. Sipas pikëpamjes mbizotëruese, përfaqësuesit e popullit janë të shkëputur nga populli, nuk dëgjojnë dëshirat e njerëzve, ndjekin vetëm interesat e tyre dhe e qeverisin keq vendin. Parlamentarët, qeveritarët dhe politikanët lokalë shihen si “klasë politike” e neveritshme që nuk përmbush funksionet e saj demokratike.Ndjenja antipolitikane është kryesisht një ndjenjë antiparti. Kjo nuk është asgjë e re: Partitë “ndër shekuj kanë qenë kurban i mendimit politik dhe shkencës politike”, sipas përshkrimit që i kanë bërë Kurt Lenk dhe Franz Neumann në vitin 1968 ndjenjës antiparti. Partitë, sipas Thomas Hobbes, ishin si “shtete brenda shtetit”, si “teori konspiracioni”. Megjithatë, mërzitja nga politikanët dhe partitë nuk është patjetër edhe mërzitje nga politika. Ndërsa “politikanët” janë diskretituar, ka shumë që interesohen për çështjet e publikut dhe duan të marrin pjesë në to. Në shkencë dhe në media arrihet në konkluzionin se do të duheshin politikanë të tjerë që politika të bëhej më e mirë. Elitat e vjetra politike do të duhet të zëvendësoheshin dhe popullit që nuk ka qenë politikisht aktiv do të duhet t’i jepej më shumë mundësi për të marrë pjesë. Në versionin naiv të kësaj kritike të demokracisë dominon shpresa se vendimet e nevojshme politike do të ishin më të mira nëse më shumë të interesuar nga populli, pra njerëz pa poste zyrtare dhe mandate, të marrin pjesë në një mënyrë ose në një tjetër, në proceset e vendimmarrjes. Në një pikëpamje më skeptike, shkalla më e madhe e legjitimitetit që mund të arrihet flet në favor të një përfshirjeje më të drejtpërdrejtë.Prandaj në vitet e fundit entuziazmi për më shumë demokraci direkte ka rënë, megjithatë spektri i diskutimit është zgjeruar. Bëhet fjalë gjithnjë e më shumë për reformën e ligjit elektoral, për Parlamentin dhe për krijimin dhe funksionet e organeve shtetërore. Për disa autorë kritika ndaj partive është bërë kritikë ndaj parlamentarizmit. Duke pasur parasysh dështimet e shumta të politikës, është e kuptueshme se pas një debati të gjatë në lidhje me ndryshimet konform sistemit, që vështirë se kanë përmirësuar klimën negative të opinionit, tani po mendohet për një reformë të sistemit. Nga perspektiva e një popullsie të mirinformuar dhe që është bërë më vigjilente politikisht, rezultatet politike shtetërore janë të pakënaqshme. Sipas pikëpamjes së politologut britanik Colin Crouch, në shtete perëndimore ne jetojmë në një “postdemokraci”. Sipas teorisë së tij, janë korporata globale dhe kompanitë e mëdha nacionale ato që përcaktojnë në një masë më të madhe se parlamentet dhe qeveritë se cila politikë duhet të bëhet. Biznesi dhe përfaqësuesit e saj publicistikë argumentojnë se qytetarët janë më mirë kur forcat e tregut kanë liri veprimi. Colin Crouch replikon: “Nëse kemi mësuar ndonjë gjë në 20 vitet e fundit, është se kjo recetë nuk funksionon… larg nga heqja e një vije të qartë ndarëse midis politikës dhe ekonomisë, neoliberalizmi e ka ngatërruar atë në mënyra të reja të ndryshme… si rezultat kemi të bëjmë me një rrëmujë funksionale dhe stimujt për sjelljet korruptive po rriten”.Duke kërkuar përfaqësuesit “e drejtë” të popullit, kemi mbërritur në një temë qendrore të demokracisë. Ndryshe nga në të kaluarën, në deklaratat e kohëve të fundit kërkohet që politikanët e karrierës të mbahen larg nga organet shtetërore, ose të paktën të zvogëlohet në mënyrë të konsiderueshme pjesa e tyre. Kjo ide nuk është krejt e re. Në Gjermani profesori i Sociologjisë, Peter. C Dienel, në Vupertal, ka propozuar “qelizën e planifikimit”, pa të drejta vendimmarrjeje, që do të merrte pjesë si një organ këshillimor për planifikimet e vështira. Ekonomisti Jon Cruze i Universitetit Ushtarak në Hamburg ka zhvilluar një koncept reforme demokratike, me të zgjedhur direkt nga një senat. Vetë ky senat, sipas idesë së Cruze, do të çlirohej plotësisht nga ndikimi i partive.Të kundërvësh “tërësinë” ndaj partisë është, me sa duket, ende një metodë efektive për t’i bërë për vete njerëzit për diçka që gjoja paraqet një rang me të lartë se sa interesat individuale. Natyrisht, në një shtet demokratik duhet të këtë parti dhe do të këtë gjithmonë parti, për sa kohë një shtet nuk është nën sundimin autoritar. Para konsensusit është konflikti, harmonia mund të jetë vetëm rezultat i konflikteve të përballuara. Nëse nuk do të kishte parti që e quajnë veten të tilla, atëherë shoqatat, sindikatat, korporatat dhe kompanitë, komunitetet fetare dhe shoqata bamirëse, iniciativat qytrtare dhe shoqatat e të drejtave të njeriut, secila për vete dhe disa së bashku do të përpiqeshin që të impononin idetë dhe interesat e tyre. Në një farë mënyre ato janë organizata “politike” dhe janë përfaqësuese të “interesave të veçanta”, pra “parti”. Ato dallojnë nga partitë ekzistuese se ato nuk marrin rolin e filtrit dhe grupimit. Një pjesë e madhe e konfliktit të interesit zgjidhet që brenda partive dhe linja që bazohet në të mbrohet përjashta në konkurrencë me partitë e tjera. Nga ana tjetër, partitë i kushtojnë vëmendje pikërisht interesave të grupeve të mëdha të popullsisë. Ato nuk mund të jenë indiferente para problemeve të papërballueshme të qytetarëve. Nëse sot partitë diskreditohen, kjo kryesisht nuk ndodh sepse ato mbështesin shumë “interesat e veçantë”, por sepse ato nuk kanë sukses në zgjidhjen e problemeve më të mëdha.Në furinë e saj kritika popullore ndaj politikanëve drejtohet kundër të gjithëve që veprojnë disi politikisht dhe sheshojnë të gjitha dallimet midis tyre. Në të vërtetë më së shumti kritikat nuk bëhen aspak sepse ka politikanë, por për mënyrën se si partitë dhe funksionarët e tyre bëjnë politikë. Çështja është që të ndalohen zhvillimet negative që diskreditojnë sistemin politiko-administrativ. Perspektiva e ngushtë partiake e propagandës politike, pavendosmëria dhe pallogjikshmëria në prezantimin e programit të tyre, orientimi skllavërues ndaj anketimeve demoskopike, patronazhi i posteve zyrtare. Që politika nuk mund t’i përballoje të gjitha problemet që i ngarkohen, kjo dihet, zhgënjimi me politikanët bazohet pikërisht në faktin se ata premtojnë shumë. Utopitë reale që bazohen në demonizimin e partive politike nuk janë të përshtatshme për të sjellë një ndryshim në ndërgjegje. Përkundrazi: ky demonizim demoralizon brezin e ri të kualifikuar për të marrë poste politike dhe lehtëson në këtë mënyrë ngritjen dhe vazhdimin e mediokritetit të oportunistëve.Nëse ndryshimet në strukturën e institucioneve kushtetuese do të mund të kontribuonin ndonjëherë, ata duhet të fillojnë me rregullat dhe stimujt që përdoren për përzgjedhjen e kandidatëve politikë dhe për influencimin e aktiviteteve të tyre. P.sh., a kontribuon ligji elektoral që partitë të caktojnë kandidatët më të mirë? Ligji aktual lejon vetëm në pak raste që lista e kandidatëve të përcaktuar nga partitë dhe renditja në listë të korrigjohet nga zgjedhësit.Nëse është e mundur, një politikë në kuptimin e shumicës së popullit, kjo varet, në fund të fundit, nga aftësitë dhe karakteri i liderëve”.Burimi : panorama.com.al