Rama sulmon kandidatët e PD: Saliu në Korçë, oficerin e Gërdecit dhe kryehetuesin e veshit
Kreu i PS,Edi Rama, është ndalur në Korçë për të prezantuar skuadrën e Rilindjes në këtë qytet, që ndryshe nga zgjedhjet e tjera do të udhqhiet nga Bashkim Fino e jo nga Pandeli Majko, i cili kryeson në Tiranë. I bindur se në Korçë PS ka sjellë ekipin fitues, Rama sulmoi ashpër kandidatët e PD në këtë qytet.“Jam shumë krenar që ne Korçës i kemi sjellë këtë skuadër dhe ndërkohë më vjen shumë keq që Saliu nuk ka gjetur asgjë më të mirë për Korçën se sa oficerin e Gërdecit dhe kryehetuesin e veshit. Se si mund të shkosh kaq larg dhe t’i thuash Korçës “ky është zhvillimi përpara”, duke i vënë para syve oficerin e Gërdecit dhe duke i kërkuar vota për kryehetuesin e veshit kjo është diçka që mund ta bëjë vetëm një kryeministër, që nuk është i zgjedhur nga shqiptarët. Vetëm një kryeministër, që nuk ka respekt për popullin e vet, vetëm një kryeministër që po numëron ditët e fundit të pushtetit të tij familjar, i cili është një pushtet i vjedhur për të vjedhur Shqipërinë dhe të cilit shqiptarët në 23 qershor do t’i japin ndëshkimin e merituar. Sigurisht që jo vetëm kryeoficeri i Gërdecit dhe ai kryehetuesi i veshit, por edhe udhëheqësi i skuadrës kundërshtare dhe llogaritari i piramidave dhe ideatori i bllokimit të të gjitha fondeve për bashkinë e Korçës dhe të Pogradecit është përgjegjës dhe duhet ndëshkuar me votë nga qytetarët e Korçës, Pogradecit, të Devollit, të Ersekës dhe të gjithë këtij qarku. Ky qark nuk meriton qeverinë që kemi. Ky qark nuk meriton një qeveri që u thotë shqiptarëve se duhet të jenë të lumtur. Duhet të jenë të lumtur se ua ka dyfishuar rrogat mësuesve ndërkohë që janë shumëfishuar çmimet. Dhe sot mësuesit, mjekët, rrogëtarët e shtetit për të mos folur për 1 milionë të papunët blejnë më pak se ç’blenin 8 vjet më parë”tha Rama.Duke iu rikthyer akuzave për përdorim të administratës në fushatë nga kryeministri Berisha, Rama lëshoi këtë apel.“Edhe një mesazh shumë qytetar, shumë të sinqertë për drejtorët e shkollave këtu në Korçë, Pogradec, Devoll dhe në Kolonjë. Lëreni Saliun në rrugën e tij. Saliu është i humbur dhe ju nuk e shpëtoni dot. Lëreni Saliun dhe mos humbisni të drejtën për t’u respektuar në punën tuaj dhe për t’u respektuar si pjesëtarë të komunitetit tuaj, duke u bërë zëdhënës të presioneve mbi mësuesit dhe mbi votuesit e parë nëpër shkolla. Sepse unë ju garantoj që mbas 23 qershorit ne do të ngarkojmë me përgjegjësi publike dhe penale çdo drejtor shkolle që do të fusë hundën në lirinë e çdo mësuesi dhe të çdo nxënësi për të zgjedhur lirisht me votë atë që dëshiron. Ata që sot për shkak të bukës së gojës rinë kokulur përpara drejtorëve sepse nuk kanë ç’bëjnë, nesër do të jenë dëshmitarët publikë që do t’i vënë në bankën e të akuzuarve të gjithë ata drejtorë shkollash, që sillen si në kohën e fashizmit dhe më keq se në kohën e fashizmit”theksoi ai.Në fjalën e tij Rama renditi një sërë premtimesh, si hapjen e vendeve të reja të punës, heqjen e taksës për biznesin e vogël, reduktimin e analfabetizmit, rimëkëmbjen e bujqësisë dhe vendosjen e taksimit progresiv.