Kryeministri Berisha viziton pavionin e Hemodinamikës dhe Reanimacionit të Kardiologjisë, në QSUT
Kryeministri Berisha vizitoi sot në mesditë e pavionin e Hemodinamikës dhe Reanimacionit të Kardiologjisë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Tiranë. Ky pavion është i pajisur me aparatura tepër të avancuara dhe moderne, me vlerë 2.5 milionë dollarë.Kryeministri Berisha vlerësoi punën dhe angazhimin e stafit mjekësor, të cilët me anë të aparaturave dhe disa teknikave bëjnë ndërhyrje të mrekullueshme dhe evitojnë shumë kirurgjinë e hapur. “Del si detyrë, - tha Kryeministri, - të nisim mjekë për specializim, për një periudhë 3 vjeçare, në spitalet më të mira të Evropës ose Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sikundër, i kërkova edhe ministrit që të shqyrtojë mundësitë që të marrim edhe visiting Profesorë për 2-3 vjet, të cilët kanë anën tjetër pozitive, sepse formojnë një ekip të tërë”.Pas kësaj vizite, në një prononcim për mediat e pranishme, Kryeministri Berisha u shpreh:“Në një moment pauze nga fushata elektorale, shfrytëzova kohën për tu bërë një vizitë miqve të mi të dikurshëm. Mund t’ju them se qendrën në të cilën kam punuar për shumë vite, nuk e njoha më. Në të janë aparaturat dhe praktikat më moderne të mjekimit. Këto janë aparatura, për ndonjë prej të cilave as nuk kam lexuar. Kaq të avancuara janë. Krahasuar vetëm me pak vite me parë, tani është një vëllim pune 6-7 herë më i madh. Një ekip i shkëlqyer i drejtuar nga Prof. Artan Goda, me shumë mjeke dhe mjekë të rinj, të cilët përballojnë një ngarkesë pune të jashtëzakonshme, në një sintoni të madhe me kardiokirurgjinë.Më bëri përshtypje dhe Prof. Goda më tha se në një fushë të caktuar kardiokirurgjia është më e avancuar. Se këta nuk janë kardiokirurgji, por edhe këta me ballona dhe me disa teknika bëjnë ndërhyrje të mrekullueshme dhe evitojnë shumë kirurgjinë e hapur. Dhe del si detyrë të nisim mjekë për specializim, për një periudhë 3 vjeçare, në spitalet më të mira të Evropës ose Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sikundër, i kërkova edhe ministrit që të shqyrtojë mundësitë që të marrim edhe visiting Profesorë për 2-3 vjet, të cilët kanë anën tjetër pozitive, sepse formojnë një ekip të tërë.Me kënaqësinë më të madhe konstatoj se gjeta një qendër që unë, përveç Artanit dhe disa bashkëpunëtorëve të mi të vjetër, nuk e njoha dot më. Kaq e bukur ishte”, u shpreh Berisha.