KQZ: PD, PS dhe LSI gjobiten për mos respektimin e kuotave gjinore

Kur fushata zgjedhore hapet formalisht pas dy javësh, dhe kur partitë politike vijojnë serinë e takimeve me votuesit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është mbledhur për të verifikuar listat e kandidatëve të partive politike.Lista e kandidatëve të PS në 12 qarqe është miratuar me katër vota pro.Pas shqyrtimit të listave me emrat e kandidatëve për deputet të zgjedhjeve të 23 Qershorit, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka vendosur që Partia Socialiste nuk ka respektuar kuotën gjinore prej 30% të përcaktuar në Kodin Zgjedhor, në 6 qarqe të vendit. Sipas KQZ-së kriteri gjinor nuk është plotësuar në Tiranë, Durrës, Elbasan, Kukës, Gjirokastër dhe Dibër.Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, për çdo qark që nuk respektohen kuotat, vendosi 1 milion lekë gjobë.Si rrjedhojë KQZ-ja ka vendosur sanksionin administrativ prej 6 milion lekësh për Partinë Socialiste për mosrespektim të kriterit të gjinisë.Po kështu KQZ-ja pasi ka shqyrtuar listën e kandidatëve për deputet të të Partisë Demokratike në 12 qarqe të vendit, e ka miratuar atë me katër vota pro.KQZ-ja ka vendosur që edhe Partia Demokratike nuk ka respektuar kriteret gjinore në 4 qarqe të vendit. Sipas KQZ-së kriteri gjinor nga ana e PD-së nuk është plotësuar në Elbasan, Kukës, Dibër dhe Berat.Si rrjedhojë KQZ-ja ka vendosur sanksionin administrativ prej 4 milion lekësh për Partinë Demokratike për mosrespektim të kriterit të gjinisë.Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, ka miratuar me 4 vota pro edhe listat e Lëvizjes Socialiste për Integrim për zgjedhjet e 23 Qershorit.Sipas KQZ-së, LSI nuk ka plotësuar kriteret gjinore në 4 qarqe, dhe është gjobitur 4 milion lekë. LSI  s'plotëson kriteret në Berat, Kukës, Durrës dhe Gjirokastër.Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë depozituar lista shumëmërore me kandidatë 66 parti politike, 4 nga të cilat konkurrojnë më vete, ndërsa janë regjistruar edhe 3 kandidatë të pavarur.Afati i fundit i miratimit të listave me kandidatë është 14 Maji.