Messi një makineri golash, shënon që tani aq sa ka realizuar Maradona gjatë karrierës

Takimi i fundit ku Lionel Messi nuk arriti të shënonte në një ndeshje të Primera Division, daton më 3 Nëntor të vitit të kaluar, rreth 6 muaj më parë, ndaj Celta Vigos në "Kamp Nou". Madje në atë sfidë shënimi i golit për yllin argjentinës do të kishte kuptim të veçantë, sepse do të ishte finalizimi i parë që do t'i dedikohej djalit të sapolindur, Tiago.Në të gjitha ndeshjet pasardhëse të kampionatit spanjoll, emri i Lionel Messit do të shfaqej gjithmonë në tabelën ekektronike si autor i të paktën një goli për Barcelonën. Janë gjithsej 21 takime radhazi ku Messi takohet me golin, madje shpesh edhe më shumë se një herë brenda 90 minutave.Me dygolëshin e realizuar ndaj Real Betis, Lionel Messi kapi shifrën e 45 finailizimeve në La Liga dhe 59 në të gjitha kompeticionet. Publiku i "Kamp Nou" e festoi hyrjen në fushë të 25-vjeçarit në pjesën e dytë sikur të ishte shënuar një gol për katalanasit. Ovacionet ishin të forta dhe unanime, ndersa "Pleshtit" i mjaftuan vetëm 4 minuta në fushë, për të realizuar një gol spektakolar nga një goditje dënimi nga distanca, ndërsa 11 minuta më pas shtyu për në rrjetë një top të pasuar saktë nga Alexis Sançez.Dështimi në Champions League ndaj Bajern Mynih, ku Messi luajti vetëm 90 minuta për t'u harruar në "Allianz Arena", nuk mund ta cënojë reputacionin e një futbollisti të madh, i cili po thyen të gjitha rekordet individuale. Së fundmi "përbindëshi" argjentinas ka arritur të barazojë Maradonën përsa i përket golave të shënuar. Ish legjenda argjentinas ka realizuar 345 gola gjatë karrierës së tij ndërsa Messi këtë shifër ka arritur ta shënojë që në moshën 25 vjeçare. Që nga viti 2004 kur debutoi me ekipin e parë të Barcelonës, Pleshti ka arritur të gjejë rrugën e rrjetës 313 herë me Katalanasit dhe 32 herë me skuadrën kombëtare të Argjentinës, një numër i jashtëzakonshëm ky që ka bërë të barazohet shifra e Maradonës gjatë gjithë karrierës.