Basketboll NBA, Boston dhe Hjuston rrisin shpresat për kualifikim
Eksperienca e veteranëve të Boston ka bërë diferencën në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Nju Jork, pasi kanë arritur të fitojnë me rezultatin 92-86, për të treguar se seria mes tyre dhe Nju Jorkut nuk ka përfunduar.Njujorkezët kryesojnë 3-2 serinë e fitoreve në përballjet direkte në play off, por tashmë duket se nuk janë më ajo skuadra perfekte në mbrojtje dhe duhet të përgatiten për betejë në takimin që do të zhvillohet pas dy ditësh në fushën e Boston.Kevin Garnet, ishte i pandalshëm në këtë sfidë, duke shënuar 16 pikë, 18 topa në tabelë e 5 pasime, i mbështetur nga Xhezon Terri që shënoi 17 pikë edhe pse luajti si zëvendësues. Mungesa e Razhan Rondo, ka bërë që Pol Pirs të kthehet në një organizator të mirëfilltë për Boston, një lëvizje që ka rezultuar si e duhura. Ndërkohë, Nju Jork ka humbur forcën e saj ofensive, pasi Karmelo Entoni ka humbur saktësinë në gjuajtjet e tij, siç e tregon fakti se në takimin e mbrëmshëm realizoi vetëm 8 nga 24 tentativat e tij, duke regjistruar vetem 22 pikë.Një tjetër ndeshje e hapur plotësisht është ajo mes Oklahoma e Hjuston, pasi këta të fundit kanë arritur të fitojnë 107-100 në fushën e kundërshtare për të çuar serine e rezultati në 3-2 dhe për të pasur mundësinë e një tjetër takimi në fushën e tyre ku mund të barazojnë gjithçka. Protagonisti kryesor i sfidës ishte Xhejms Harden që shënoi 31 pikë, mes të cilave 7 gjuajtje për 3 pikë, për të kthyer plotësisht këtë ndeshje. Kevin Durant u mundua të bënte maksimumin me 36 pikë, 7 topa në tabelë dhe 7 pasime, por ishte i vetëm në fazën ofensive, pasi ka filluar të ndjejë mungesën e Rasëll Uestbruk tashmë të dëmtuar.