Tekniku Vilanova: Përmbysja është detyrim për Barcelonën

Trajneri i Barcelonës, Tito Vilanova, ka thënë në prag të ndeshjes së kthimit ndaj bavarezve se skuadra e tij do të bëjë të pamundurën për të përmbysur rezultatin edhe pse është i vetëdishëm për vështirsitë e takimit. Ai gjithashtu ka theksuar se skuadra e tij nuk do të mbështetet vetëm te Lionel Messi." Ndaj Bayern na pret një sfidë super e vështirë, pasi të rekuperosh 4 gola është një mrekulli e vërtetë. Ne jemi Barcelona dhe për të konfirmuar se jemi ekipi më i mirë në botë do të provojmë përmbysjen e madhe edhe pse për shumë specialistë konsiderohet e pamundur. Nëse arrijmë të shënojmë të paktën 1 gol në minutat e para, atëherë gjithçka është mëse e arritshme. Unë kam besim te skuadra ime se sonte do të bëjmë një ndeshje të madhe për të treguar vlerat e vërteta të skuadrës.Në lidhje me rendimentin e Messit, tekniku Vilanova u shpreh se: "Ne e dimë sa i rëndësishëm është Messi në ekipin tonë, sidomos kur bëhet fjalë për përmbysje të mëdha. Ndaj Bilbaos tregoi se gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm ndryshe nga ndeshja e parë më Bajernin. Por ne nuk mund ta lëmë gjithë presionin mbi shpatullat e tij, edhe pjesa tjetër e skuadrës duhet ta ndihmojë atë. Është e kuptueshme se Messi do të ketë shumë për të treguar në ndeshjen e sotme pasi të gjithë presin një shpërthim të tij pas dëmtimit", ka thënë Vilanova në konferencën për shtyp.Në lidhje me problemet në mbrojtje që ka shfaqur skuadra në ndeshjen e parë, Vilanova ka theksuar se: "Pike mund të mbajë lart mbrojtjen tonë pa asnjë problem. Sezoni i tij ka qenë i shkëlqyer. Fakti që kemi pësuar shumë gola ka të bëjë me faktin se disa lojtarë kanë qenë të dëmtuar në repartin e mbrojtjes dhe Pike ka bërë një punë të shkëlqyer duke dhënë maksimumin e tij. Shpresojmë që Maskerano të jetë mirë dhe të aktivizohet që në fillim, pasi do të ishte një ndihmesë e madhe edhe për vetë Piken”, përfundoi tekniku i Katalanasve.