Bayerni vijon diktatin ndaj Barçës, fiton edhe në Spanjë 3-0
Bajern Mynih ka vërtetuar superioritetin ndaj Barcelonës, duke turpëruar edhe një herë katalanasit, këtë radhë në tempullin e tyre, "Kamp Nou", falë fitores 3-0 që ka mbyllur çdo diskutim të mundshëm se kush është skuadra më e mirë e momentit. Ekipi i Jup Heinkes triumfon në total me rezultatin 7-0, dhe siguron finalen e "Uemblit" ku përballë do të ketë një tjetër skuadër gjermane si Borusia Dortmund.Edhe pse flitej për një përmbysje të madhe, që me fillimin e lojës u duk qartë se kjo ishte një detyrë e vështirë dhe e pamundur. Katalanasit vet nuk besonin te përmbysja, aq sa edhe trajneri Vilanova vendos të mos rrezikojë yllin e skuadrës Lionel Mesin. Të besuarit e Vilanoves shfaqen pa fantazi ndërsa lojtari më i mirë i tyre është Pike, i cili shpëton portën e tij në dy raste të pastra të Myler dhe Roben. I vetmi rast i rrezikshëm nga katalanasit vjen nga Pedro i cili tenton nga disatanca por gjen reagimin e portierit Nojer, i cili në 45 minutat e para qëndroi i pashqetësuar.Me fillimin e pjesës së dytë të gjithë prisnin të shihnin në lojë Mesin por argjentinasi vazhdon të lihet në pankin nga Vilanova. Bajerni përfiton nga çekuilibrimi i vendasve për të shënuar golin e avantazhit dhe të sigurisë që në minutën e 49-të. Roben depërton nga e djathta në qendër, dhë lëshon goditjen e tij potente që përfundon pas krahëve të Viktor Valdes. "Kamp Nou" pllakoset nga heshtaja e tifozerisë vendase dhe zhurma e mijra bavarezëve që kishin udhëtuar drejt katulunjës për të ndjekur skuadrën e tyre të zemrës që ndeshje pas ndeshje po pushton futbollin botëror. Ndonëse në fushë hidhet Sançez, një sulmues tjetër, është Bajerni që vazhdon të sulmojë dhe të krijojë rrezikshmëri, duke gjetur golin e dytë në minutën 72, me Pike që dërgon në portën e vet topin në tentativë për ta larguar pas një harkimi të Riberi. Kapitullimi total i Barcelonës firmoset në minutën e 76-të, kur përsëri Riberi lëshon një top perfekt për Myler. Ky i fundit me kokë dërgon sferën në rrjetë duke firmosur jo vetëm fitoren por edhe dominimin total ndaj Katalanasve. Me një fitore me rezultat të përgjithshëm 7-0 bavarezët zbresin nga froni skuadrën më të mirë të viteve të fundit për më tepër duke u dhënë një leksion të mirë futbolli. Finalja e "Uemblit" është pronë e Gjermanëve ndërsa ne duhet të presim datën 25 Maj për të mësuar fituesin e Chempions Ligë, mes Bayern dhe Dortmund ku futbolli gjerman do të përjetojë një nga netët më të mëdha të viteve të fundit në nivel klubesh.