Real fiton ndaj Dortmund por nuk mjafton për të shkuar në finale
Spektakël, grintë, gola dhe shumë raste të pastra për të shënuar kanë shoqëruar gjysëmfinalen e kthimit mes Real Madrid - Borusia Dortmund, ku gjermanët siguruan finalen e Uemblit edhe pse Iberikët arritën të fitonin me rezultatin 2-0. Fitorja e "galaktikëve", e cila erdhi në minutat e fundit, nuk u mjaftoi atyre për të vazhduar ëndrrën e fitimit të trofeut të 10 në Chempions Ligë, pasi kishin humbur në takimin e parë me rezultatin 4-1. Në një ndeshje emocionuese nga minuta e parë e deri tek e fundit, "Santiago Bernabeu" u kthye në arenën e një spektakli të jashtëzakonshëm të dhuruar nga të dy skuadrat.Reali e fillon ndeshjen mjaft vrullshëm, me dëshirën për të shënuar sa më shpejt dhe për të realizuar përmbysjen e madhe që të gjithë prisnin. Pikërisht ky nxitim bëri që Higuain, Ronaldo e Ozil të humbin raste që normalisht nuk duhet t'i kishin shpërdoruar. Nga ana tjetër, Levandovski vazhdon të krijojë panik në mbrojtjen spanjolle dhe vetëm një ndërhyrje e Diego Lopez i mohon gëzimin e një tjetër goli ndaj madrilenëve, pas atyre 4 të shënuar në sfidën e parë. Ndeshja vazhdon të bëhet e bukur, me të dy skuadrat që luajnë hapur dhe krijojnë raste të njëpasnjëshme, por pa arritur të gjejnë rrugën e rrjetës.Mbyllja e pjesës së parë në barazim pa gola ndihmon Borusian që ti fillojë 45 minuta e dyta më qetë. Vrasësi i madrilenëve në takimin e pare, Levandovski, ka mundësinë e artë për të kaluar në avantazh skuadrën e tij në minutën e 52-të, por topi ndalet në traversën e portës së Diego Lopez. Më pas është vetë portieri spanjoll që shpëton skuadrën e tij nga një gol i sigurt, duke bllokuar gjuajtjen e Gyndogan. Ndeshja i afrohet fundit dhe Mourinho freskon skuadrën duke hedhur në fushë Benzema, Kaka e Khedira në vend të Higuain, Koentrao e Ksabi Alonso. Zëvendësimet e teknikut portugez edhe pse me vonesë japin rezultat, pasi në minutën e 82-të është Benzema që dërgon topin në rrjetë pas një pasimi perfekt të Ozil. Reali beson te mrekullia dhe në minutat e mbetuara bën gjithçka për të shënuar të tjerë gola. 2 minuta para përfundimit të kohës së rregullt vjen edhe goli i dytë, me autor kapitenin Sergjo Ramos që rritë shpresat e përmbysjes së madhe edhe pse minutat në dispozicion janë të pakta.Realit i duhet edhe një gol për të përmbushur misionin por këtë radhë mrekullia nuk ndodh dhe pse akordohen 6 minuta shtesë. Vërshëllima përfundimtare e Hauard Ueb dekreton emrin e Borusia Dortmund si finaliste e parë e të këtij edicioni në Ligën e Kampioneve, ndërsa madrilenët duhet të presin kompeticionin e ardhshëm për të realizuar ëndrrën e fitimit të titullit të 10 Chempions në histori ndoshta pa Mourinhon në krye të skuadrës.