BSH, Fullani: Kujdes me borxhin, problem shqetësues kreditimi

Në prag të fushatës zgjedhore Banka e Shqipërisë i bën apel qeverisë që të bëjë kujdes me nivelin e borxhit publik dhe defiçitin buxhetor.Gjatë raportit 3 mujor të ecurisë ekonomike në vend, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, u shpreh se duhet të bëhet kujdes me ekuilibrat fiskalë në mënyrë që të mos dëmtohet ekonomia në vend.“Banka e Shqipërisë tërheq edhe njëherë vëmendjen për rëndësinë e ruajtjes së ekuilibrave fiskalë dhe kontrollin e deficit dhe borxhit publik në nivele të përballueshme e të padëmshëm për ekonominë shqiptare. Borxhi duhet të reduktohet në nivel të besueshëm, efektiv e transparent” theksoi Fullani.Një tjetër ngërç për ekonominë sipas kreut të Bankës Qendrore vijon të mbetet edhe mungesa e kreditimit nga bankat.Guvernatori Ardian Fullani kërkoi që të vazhdojnë reformat strukturore në mënyrë që të kemi një ringritje të ekonomisë e cila edhe gjatë këtij 3 mujori ka qenë nën potencial.Banka e Shqipërisë la të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 3.75%, ndërkohë që Guvernatori u shpreh se uljet e normave të mëparshme janë reflektuar në sistemin bankar.