Situata në KQZ, Wollfarth: Duhet dialog nga partitë
Ambasadori i OSBE-së në Tiranë Eugen Wollfarth ka kërkuar nga partitë politike në Shqipëri të bashkëpunojnë për të zgjidhur situatën e krijuar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.Në një prononcim për mediat për situatën politike, ambasadori Wollfarth theksoi se duhet të rritet besueshmëria tek Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve."Çështja e KQZ-së duhet të jetë në krye të axhendës. Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së theksoi ditët e fundit se nevojitet dialog dhe ndërveprim mes partive politike për të bërë të pamundurën për rritjen e besueshmërisë dhe ligjshmërisë së KQZ-së. Kjo nevojitet për zgjedhje të mbara dhe për një proces të mbarë zgjedhor. Gjithashtu, kjo është një thirrje e fortë për të dyja kampet politike që të bëjnë, në mënyrë konstruktive, atë që nevojitet për të siguruar një proces të mirë të përgatitjes së zgjedhjeve, me përfshirjen e të gjitha kampeve” theksoi ambasadori i OSBE-së.Ai ka theksuar më tej se është shumë e rëndësishme që qeveria, pra shumica, të bëjë përpara për të krijuar një atmosferë që lejon për hapa të mëtejshëm, ashtu sikurse është e rëndësishme që opozita të paraqesë pjesë konstruktive të këtij dialogu, për të plotësuar anëtarësinë e KQZ-së.“Zgjedhjet janë caktuar për më 23 qershor. Që të jenë zgjedhje të suksesshme për vendin, ato duhet të respektojnë rregullat demokratike dhe pjesë e tyre është, qartësisht, një KQZ plotësisht funksionale dhe plotësisht e legjitimuar. Pra, më lejoni të ritheksoj: duhet të punohet për të rritur besueshmërinë dhe ligjshmërinë e KQZ-së. Ajo mund të funksionojë siç është tani, por duhet bërë më shumë dhe për këtë nevojitet ndërveprimi pozitiv i partive politike” theksoi më tej ambasadori.Ndërkohë pas dorëheqjes së 3 anëtarëve të opozitës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijon punën vetëm me 4 anëtarët e mazhorancës.Partia Socialiste ka refuzuar të propozojë emra për anëtarë të KQZ-së me argumentin se ky institucion e ka humbur legjitimitetin dhe, sipas socialistëve, është e domosdoshme rivendosja e besueshmërisë në këtë institucion për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në 23 qershor.