Bumçi-Poposki: Shqiptarët në Maqedoni, faktor stabiliteti

Ministri i Jashtëm Aldo Bumçi është takuar sot me homologun e tij maqedonas Nikola Poposki me të cilin bisedoi mbi marrëdhëniet dypalëshe, perspektivën e proceseve integruese në të dy vendet, si dhe mbi zhvillimet në rajon dhe bashkëpunimin në kuadër të organizatave shumëpalëshe.Ministri Bumçi shprehu kënaqësinë për këtë vizitë që përkon me 20-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, duke evidentuar se marrëdhëniet solide e dinamike, të miqësisë së mirë dhe bashkëpunimit reciprok janë një bilanc i shkëlqyer në raportet mes dy vendeve.Në politikën e saj rajonale, Shqipëria ka mbështetur një Maqedoni të qëndrueshme, të integruar dhe të zhvilluar, dhe në këtë kuadër vendi ynë ka mbështetur dhe vijon të mbështesë fuqishëm aspiratën e Maqedonisë për t’u anëtarësuar në NATO.Më pas dy Ministrat ranë dakord se zhvillimi i infrastrukturës, dhe veçanërisht Korridori VIII do të jenë përparësi e të dy qeverive. Po kështu lidhja hekurudhore, e sistemeve energjetike dhe bashkëpunimi në fushën e kulturës, turizmit dhe arsimit janë prioritare.Duke u ndalur në rolin e faktorit shqiptar, Ministri Bumçi vuri në dukje se qytetarët shqiptarë që jetojnë në Republikën e Maqedonisë janë faktor stabiliteti, konsolidimi dhe progresi për vendin dhe në këtë kuadër theksoi se zbatimi i plotë në frymë dhe në gërmë i Marrëveshjes së Ohrit është kyç për vendin dhe përparimin në procesin e integrimit europian.Nga ana e tij, Ministri Poposki u shpreh se 20 vjetori i marrëdhënieve diplomatike shënon një kapitull të shkëlqyer në marrëdhëniet dypalëshe mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Shqipërisë. Ai evidentoi frymën shumë të mirë të bashkëpunimit për trajtimin e çështjeve dypalëshe dhe perspektivën e përbashkët të integrimit europian.Duke u ndalur tek infrastruktura dhe lëvizja e lirë, Ministri Poposki vlerësoi projektet e përbashkëta ndërkufitare me Shqipërinë, dhe u angazhua për hapjen e pikave të përbashkëta kufitare mes dy vendeve.Të dy Ministrat ranë dakord për zhvillimin së shpejti të forumit të përbashkët të biznesit, dhe të Komisionit të Përbashkët Ekonomik, për të trajtuar me përparësi fushat e reja të bashkëpunimit mes dy vendeve.Në kuadër të zhvillimeve në rajon, të dy Ministrat përshëndetën marrëveshjen mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ministri Bumçi theksoi se kjo marrëveshje ka hapur një perspektivë të re edhe për rajonin, atë të bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal. Ai vlerësoi qëndrimin e Maqedonisë ndaj Kosovës, dhe në veçanti për mbështetjen ndaj pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë dhe me të drejta të plota të Kosovës në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare, pasi kjo i shërben edhe perspektivës europiane dhe euratlantike të të gjithë rajonit.