Rama-deputetëve: Ju kërkoj ndjesë. Zgjedhjet duhet të jenë të pacënueshme

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama e ka nisur mbledhjen e grupit të PS-së me një ndjesë drejtuar të gjithë deputetëve.Rama ka theksuar se çdo deputet është një vlerë për PS-në ndërsa ka kërkuar prej tyre angazhimin e palëkundur për të fituar zgjedhjet e 23 qershorit.“Keni rezistuar mes pengesash pa fund, sfidash dhe angazhimeve me kundërshtarë primitivë dhe gjakatarë që i ka humbur dy dekada dhe sot i rri vendit mbi kokë si kërcënim për t’ia humbur edhe një dekadë të tretë. Kemi humbur njerëz si të ishim në fushë lufte me armik jo vend pluralist. Kemi pasur edhe moskuptimet dhe keqkuptimet tona, rivalitetet e brendshme kthyer në deformime. Eshtë dita për t’iu thënë të gjithëve nëse ka ndodhur që pa dashje të kem gabuar dhe mesiguri kam gabuar edhe unë me këdo nga ju, për t’iu thënë se ju kërkoj sinqerisht ndjesë. Për mua të gjithë pjesëtarët e grupit kanë qenë e do të mbeten bashkëpunëtorët më të afërt. Këto janë zgjedhjet më të rëndësishme që vendi ka pasur pas 1992, këto zgjedhje do të vendosin nëse vendi do rilindë apo do të vazhdojë në rrënimin e mëtejshëm” tha Rama.Rama ka theksuar  më tej se këto zgjedhje janë më të rëndësishmet për vendin që pas vitit 1992, jo vetëm për 4 vitet e ardhshme por për përcaktimin e rilindjes së vendit.“Unë kam vlerësimet më të larta për çfarë ka bërë dhe çdo pjesëtar mbetet kapital i çmuar njerëzor i PS për të udhëhequr vendin. Zgjedhjet e 23 qershorit duhet të bëhen të pacënueshme, të pamanipulueshme dhe e vetmja garanci që ndryshimi i madh të ndodhë, që rilindja të ndodhë është paprekshëmria e zgjedhjeve përmes pjesëmarrjes masive në votime” tha Rama.Kreu i PS-së gjithashtu nënvizoi domosdoshmërinë  që në këtë fazë shumë delikate dhe vendimtare të një rruge që ka vazhduar për 4 vjetësh skuadra për një rilindje kombëtare duhet të jetë e bashkuar."Ne duhet të jemi një skuadër kompakte që të provojmë që jemi një skuadër që do të bëjë betejën në të gjithë territorin si një përfaqësi me protagonistë të panumërt në të gjithë Shqipërinë. Është dita për të vënë intersin madhor të vendit mbi çdo egoizëm. Është dita për të krijuar frymën e besimit të qytetarëve te Partia Socialiste" tha Rama.Sipas tij opozita nuk do ti fitojë zgjedhjet me 10 vota, por me një plebishit kombëtar. “Kjo kërkon që secili prej nesh, çdokush nga anëtarët e këtij grupi që ka investuar për të çuar përpara një betejë të vështirë, sot të jetë zëdhënësi i domosdoshmërisë për një pjesëmarrje sa më të madhe në zgjedhje” tha Rama.Kryesocialisti Rama ka theksuar se kundërshtari  i PS-së nuk është i gatshëm të lërë pushtetin por duhet të bëhet gjithçka që ai të largohet me votë në 23 qershor.